Rreth 15000 iranianë zhvilluan një demonstratë masive e madhështore në Berlin të shtunën, më 6 korrik 2019.

Demonstruesit mbështetën kryengritjen e popullit iranian dhe përpjekjet e njësive të rezistencës për të përmbysur regjimin klerikal që ka pushtetin në vend, si dhe themelimin e demokracisë dhe sovranitetit popullor, duke shprehur mbështetje për Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Presidenten e zgjedhur të tij, znj. Maryam Rajavi, si dhe planin e saj me 10 pika për të ardhmen e Iranit.

Demonstruesit thirrën sloganet “poshtë sundimi i mullahëve, rroftë Maryam Rajavi.”

Në një video-mesazh drejtuar protestuesve, Maryam Rajavi tha: "Sot, mullahët kanë rënë në kurthin dhe në rrugën qorre të përmbysjes. Mesazhi juaj dhe i popullit iranian drejtuar komunitetit ndërkombëtar, dhe veçanërisht Europës, është: Politika e bërjes së lëshimeve ndaj shtypjes fetare dhe e mbrojtjes së mullahëve nga përmbysja duhet të ndalet.”

Znj. Rajavi shtoi se një vit më parë, Gjermania arrestoi një diplomat të regjimit të mullahëve, i cili u kishte dhënë personalisht eksplozivë dy terroristëve për t’i përdorur kundër tubimit të rezistencës iraniane në Paris.

“Para dhe pas kësaj ngjarjeje, gjatë tre viteve të fundit, policia gjermane ka arrestuar gjithashtu një duzinë mercenarësh e terroristësh nga Forcat Qods dhe Ministria e Inteligjencës (MOIS). Disa prej tyre janë gjykuar dhe burgosur nga drejtësia gjermane,” tha ajo. 

Znj. Rajavi pohoi se regjimi aktual në Iran është vërtet kërcënimi më i madh për paqen në botë sot.

“Nga pasurimi i uraniumit, që nënkupton përgatitje për një bombë bërthamore, tek zhvillimi i programit të raketave balistike, në shkelje të Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurisë, tek dërgimi i forcave në Siri, në shkelje të Rezolutës 2254, dhe intensifikimi i luftës kriminale në vend. Vërtet, nëse nuk do të merrnin lehtësime nga Europa, si mund të ishin mullahët kaq të pasjellshëm?” pyeti ajo.

“Çdo lëshim që i bëhet regjimit, me çfarëdo justifikimi, ka vetëm një pasojë: rritjen e perspektivës së një lufte katastrofike nga klerikët. Çdo euro tregtie me klerikët është një euro për ndezjen e makinerisë së Khamenei-t për represion e luftë.”

Mes politikanëve të spikatur që morën pjesë në tubim, ishin Patrick Kennedy; Ingrid Betancourt, ish-kandidate presidenciale e Kolumbisë; Thomas Nord, Anëtar i Parlamentit Gjerman; Eduard Lintner, ish zëvendës ministër i brendshëm i Gjermanisë; Stephan von Dassel, Kryebashkiak i Berlin-Mitte; Senatori Jerry Horgan i Irlandës; Michał Kamiński, Anëtar i Parlamentit Polak; dhe Leo Dassenberg, kryetar i Komitetit për Lirinë e Iranit në Gjermani dhe ish-anëtar i parlamentit federal.  

Duke shprehur solidaritetin e tij me Rezistencën Iraniane, Patrick Kennedy, ish-anëtar demokrat i Kongresit amerikan dhe djali i Senatorit të ndjerë Edward Kennedy, shprehu respekt për fushatën e amerikane të presionit maksimal duke thënë, “Jam pro sanksioneve më të forta të mundshme kundër regjimit në Teheran dhe terrorit të tij. Kjo është përgjigjja që do ta përshpejtojë ardhjen e ditës kur do ta përmbysim këtë regjim fashist.”

Eduard Lintner, ish zëvendës ministër i brendshëm i Gjermanisë, pohoi, “MOIS është shumë aktive në Europë kundër rezistencës iraniane. Duhet t’u tregojmë që nuk do t’i lejojmë të na mbajnë peng të veprimtarive të tyre terroriste në tokën tonë.”

Ingrid Betancourt, politikane kolumbiane që ka qenë e mbajtur peng, mbajti një fjalim ku shprehte mbështetjen e saj për PMOI/MEK si alternativa ndaj regjimit të mullahëve në Iran, “Ne kemi besim te MEK, në vlerat tuaja dhe në atë për të cilën luftoni… Jemi këtu për t’u thënë qeverive tona në Europë që nuk duam asnjë lëshim a marrëveshje tjetër me qeverinë kriminale të mullahëve.”

Anëtari i Bundestagut gjerman, Thomas Nord, theksoi kërcënimin që paraqesin për botën mullahët që sundojnë Iranin, “Regjimi iranian po përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore. Duhet të bëjmë ç’të jetë e mundur për të mos e lejuar këtë regjim ta kërcënojë paqen në botë,” tha ai.

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të NCRI-së, Mohammad Mohaddessin, përsëriti kërkesën për përjashtimin e agjentëve të regjimit, “Mercënarët dhe agjentët e regjimit iranian duhet të përjashtohen nga Europa. Agjentët e regjimit iranian nuk duhet të tolerohen në vendet e huaja. Ata po shkaktojnë pasiguri në Europë. Kërkojmë që ata të gjykohen e të përjashtohen.”