Martin Erdmann, ambasadori gjerman në Ankara, është ftuar për raport në ministrinë e Jashtme të Turqisë, për shkak të një festivali të kurdëve në Këln të Gjermanisë. Agjencia turke e lajmeve Anadolu njofton se qeveria turke akuzon Gjermaninë për lejimin e “propagandës terroriste”.

Turqia e denon këtë manifestim të “grupeve terroriste të PKK”, thuhet në shpjegimin e minsitrisë së Jashtme. Kjo është theksuar qartë edhe në bisedën me ambasadorin e Gjermanisë në Ankara, i Martin Erdmann i cili është “ftuar për bisedë në Ministrinë e Jashtme”.

Në festivalin kulturor të kurdëve të shtunën, sipas policisë, kanë marrë pjesë mijëra njerëz. Gazeta “Kölner Stadt-Anzeiger” shkruan se në Deutz të Këlnit janë mbledhur rreth 12.000 njerëz, për të kërkuar të drejtat e kurdëve në Turqi. Festivali është mbajtur nën moton “Liri për Öcalanin – status për Kurdistanin”. Pjesëmarrësit kanë kërkuar lirimin e udhëheqësit të Partisë Punëtore Kurde, Abdullah Öcalan, i cili për vite të tëra po mbahet në burgjet e Turqisë. PKK radhitet në Turqi, por edhe në Gjermani dhe BE, në grupin e organizatave terroriste. /DW.