“Maria” ka shkatërruar gjithçka në Puerto Rico. Nga njoftime zyrtare atje mësohet se i gjithë ishulli ka ngeluar pa energji elektrike duke lënë kështu 3.5 milionë banorë pa elektricitet.

“Qendra Kombëtare për Uraganet” në SHBA njoftoi se përmbytje katastrofike kanë përfshirë pjesë të ndryshme të ishullit. Guvernatori i Puerto Rico, Ricardo Rosello tha se deri më tani është shënuar vetëm një viktimë, një burrë, pasi është goditur nga mbetje që fluturonin në ajër për shkak të erërave.

“Maria” është dobësuar në një stuhi të kategorisë 2, dhe po largohet nga territori amerikan duke iu afruar Republikës Domenikane. Banorët të ciliët ishin larguar nga shtëpitë e tyre drejt strehave të sigurta, pasi u kthyen thanë që vendi ishte shkatërruar, copa ishin shpërndarë nëpër rrugë, linjat elektrike ishin prishur dhe pemët ishin shkulur prej stuhisë.