Kalifornia, Oregon dhe Uashingtoni janë prekur nga zjarret masive dhe po përballen me një gjendje kaotike. Zjarret, të cilët u përkeqësuan nga era e fortë dhe temperaturat ekstreme, kanë shënuar tashmë sezonin më të keq të zjarreve në historinë e Kalifornisë. 

Vitin e kaluar u dogjën 118,000 hektarë tokë, ndërkohë që këtë vit, deri tani, janë djegur 2.3 milionë hektarë, sipas guvernatorit të Kalifornisë.

Përpos Kalifornisë, Oregoni dhe Uashingtoni po përballen me zjarre masive. Zyrtarët lokalë në Uashington raportuan se 80% e shtëpive në një qytet të vogël të quajtur Malden janë shkatërruar nga zjarri.

Zjarret janë fotografuar dhe pamjet janë surrealiste, a thua se janë shkëputur nga një film me temë apokalipsin, gjë që i ka bërë njerëzit nëpër rrjete sociale t’i krahasojnë me “fundin e botës”. Deri tani, 14 njerëz kanë humbur jetën.