Deputeti i PS-së Erion Braçe ka zhvilluar një interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me ndotjen e lumenjve në Tiranë dhe ecurinë e projekteve për kanalizimet. Gjatë fjalës së tij, Braçe ngriti shqetësimin për situatën mjedisore në kryeqytet, ku theksoi se gjatë verës situata bëhet edhe më keq.
Braçe përmendi edhe një letër të UKT-së, sipas të cilës ujëra të ndotura derdhen në lumenjtë e Tiranës, në Lanë dhe me gjasë edhe në Erzen. Braçe kritikoi gjithashtu zhvillimin urban, duke thënë se infrastruktura ekzistuese nuk përballon ndërtimet e reja.
“Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë. Ujëra të ndotura, siç më bën me dije UKT përmes kësaj letre, derdhen në lumenjtë e Tiranës, e pranojnë botërisht, në Lanë dhe lumin e Tiranës, me gjasë edhe në Erzen. Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja”, u shpreh Braçe, duke ngritur pyetjen se ku do të shkarkohen ujërat e ndotura të zonave të reja si Lagjja nr. 13 dhe Bulevardi i Ri.
Në përgjigje Karakaçi bëri me dije, se projekti i përmirësimit të sistemit të kanalizimeve është një investim me rëndësi jetike për mjedisin dhe cilësinë e jetesës, por ka pasur vonesa në zbatim për shkak të problemeve me kontraktorët. Ministri theksoi, se projekti financohet përmes një marrëveshjeje huaje me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me vlerë rreth 61 milionë euro. Sipas tij, projekti përfshin ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar me kapacitet mbi 94 mijë metra kub në ditë, si dhe ndërtimin e kolektorëve kryesorë që do të transportojnë ujërat nga zona të ndryshme të Tiranës drejt impiantit.
“Parashikohet ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, me kapacitet prej mbi 94 mijë metrash kub në ditë. Një komponent është ndërtimi i kolektorit kryesor për transportimin e ujërave të ndotura nga Pallati me Shigjeta deri në impiant, me gjatësi rreth 4.2 km dhe kapacitet prej 2.27 metrash kub për sekondë. Projekti përfshin edhe ndërtimin e kolektorit të ri të ujërave nga Ura e Shkozës deri te Pallati me Shigjeta, me qëllim menaxhimin e shkarkimeve të Lanës dhe përmirësimin e ndotjes urbane. Implementimi filloi para vitit 2016 me afat prej 36 muajsh, por pas disa problemeve serioze afati u shty me 52 muaj deri më 6 tetor 2018. Po atë vit kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktor pas një auditimi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ministria ka marrë masa për të rivitalizuar kontratën. Aktualisht jemi në fazën që konsulenti ka përfunduar rishikimin e projektit dhe ka hartuar projektin e ri teknik. Shumë shpejt pritet fillimi i procedurës konkurruese”, tha Karakaçi.





