Brad Pitt ka befasuar publikun me një rrëfim të sinqertë gjatë premierës së filmit të tij më të ri, “F1”, në Mexico City.

Aktori hollivudian, i cili ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në industrinë e filmit, pranoi se nëse do të kishte qenë më i ri, do të kishte ndjekur një rrugë krejt tjetër, atë të një garuesi.

“Po të isha pak më i ri, do ta provoja. Mendoj se po. Është një ndjesi e jashtëzakonshme, nuk e kam përjetuar kurrë më parë.

E ndjen fuqinë, ndjen mënyrën si qëndrojnë këto makina në rrugë kur marrin kthesa me shpejtësi, është thjesht mahnitëse,” tha Pitt me entuziazëm, i pyetur nëse do ta shihte veten si një shofer garash pas përvojës në këtë film.

Gjatë promovimit të “F1”, një projekt që ka ngjallur interes jo vetëm për adrenalinën në pistë, por edhe për thellësinë njerëzore të personazheve, aktori 61-vjeçar ndau edhe disa mendime personale mbi jetën dhe përvojat që e kanë formuar.

Ai nuk la pa përmendur edhe rëndësinë që kanë marrë marrëdhëniet personale për të në këtë fazë të jetës:

“Kur arrin në moshën time, e kupton vërtet sa e rëndësishme është të jesh i rrethuar nga njerëz që i do dhe që të duan,” shtoi ai, duke nënkuptuar se në këtë rreth të ngushtë bën pjesë edhe partnerja e tij, Ines de Ramon.

Në “F1”, Pitt interpreton një pilot legjendar të Formula 1 që është tërhequr nga gara, por kthehet për të stërvitur një pilot të ri. Filmi, me regji nga Joseph Kosinski dhe skenar të shkruar bashkë me Ehren Kruger, sjell në ekran një botë plot rrezik, rivalitet dhe pasion për shpejtësinë.

Krahas Pitt, në kast marrin pjesë edhe aktorët e njohur Javier Bardem dhe Kerry Condon, ndërsa projekti është prodhuar në bashkëpunim me Formula 1 dhe kompaninë e Lewis Hamilton, i cili është gjithashtu producent i filmit. Filmi përmban skena të xhiruara në pista të vërteta të Formula 1, duke i dhënë publikut një përjetim sa real, aq edhe emocional të botës së garave.