Brazil, 17 qershor 2014 – Brazili zien i tëri në Fortaleza Selesao do të zbresë sërish në fushë në ndeshjen e dytë për Grupin A, ku do të gjejë përballë Meksikën. Pas suksesit 3-1 me Kroacinë ekipi i Scolarit mund të mbyllë përfundimisht çështjen e kualifikimit në rast të një suksesi të mundshëm ndaj një kundërshtari me të cilin ka jo pak hesape për të larë, pasi në 2012 amerikano-qëndrorët i hiqnin Brazilit të vetmin trofe që nuk kanë fituar ndonjëherë medaljen e artë në Olimpiadë, duke i mundur 2-1 në finale. Vitet e fundit, Meksika është cilësuar si macja e zezë e “pentacampeao”, por në fakt Selesao sa herë e ka gjetur përballë në një event madhor gjithmonë ka arritur në finale ose ka fituar. Në 1950, Selesao e niste Botërorin në shtëpi duke mundur meksikanët 4-0 dhe më pas në ndeshjen e fundit humbiste titullin me Uruguajin. Në 1962 luante gjithashtu ndeshjen e parë në Grup me Meksikën dhe fitonte 2-0 me gola të Zagallos dhe Pele, ndërsa në Kupën e Konfederatave e ka gjetur përballë tre herë dhe në të treja rastet ka triumfuar siç ndodhi dhe në sfidën e vitit të shkuar ku fitoi sërish 2-0.
Problemi kryesor i Scolarit është Hulk që do të mësohet vetëm në momentin e fundit nëse do të luajë apo jo në të kundër mund të zëvendësohet nga Ramires, Jo ose Bernard. Megjithatë përpara se Brazili të nisë xhiron e ndeshjeve të kthimit do të zbresë në fushë Belgjika në orën 18:00 me Adnan Januzajn që mund të bëjë debutimin e tij në Botëror nëse aktivizohet ndaj Algjerisë. Belgjika shihet si favorite në Grupin H bashkë me Rusinë për të kaluar më tej dhe madje konsiderohet dhe si ndonjë surprizë e mundshme e këtij kompeticioni. Grupi H, do të mbyllet në orën 00:00 me sfidën mes Rusisë dhe Koresë së Jugut. Lindorët me Capellon në stol vijnë në këtë kompeticon për të arritur sa më larg dhe kalimi i grupit është objektivi i parë që duhet realizuar megjithatë Korea e Jugut ka treguar në tre Botërorët e fundit se është një kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





