11 gusht 2015 – Plazhi pranë sektorit Rinia, 10 km në veri të Durrësit, ka nisur të shfrytëzohet shumë vonë nga pushuesit.
Edhe pas viteve 1990 laguna ujore mes brezit me pisha dhe bregdetit në zonën e Katundit të Ri, e bënte thuajse të pamundur mbërritjen në plazhe nëpërmjet rrugëve pranë qytetit. Aksesi në plazhe ishte i mundur vetëm pranë pikës së njohur me emrin kanali i Jubës, 3-4 km më në veri.
Ngritja me inerte e trasesë së një rruge të paasfaltuar, që e ndau në dy pjesë territorin lagunor pranë fshatit Rinia, krijoi kushtet për qarkullimin e automjeteve, që vijnë kryesisht nga Durrësi, duke shpenzuar vetëm gjysmën e kohës.
Mbi 4-5 mijë pushues në ditë frekuentojnë tani plazhet me gjatësi 3-4 km deri në grykëderdhjen e lumit Erzen, me një peisazh që nis nga Kepi i Palit në jug deri në atë të Rodonit. Brezi me pisha filtron ajrin e pastër që flladit vijën bregdetare, ndërsa kioskat u shërbejnë pushuesve ditorë.
Megjithëse rruga e re prej inertesh ka sjellë në plazhe brenda pak vitesh dhjetra mijë pushues, laguna që dikur shquhej për larminë e peshkut dhe të faunës ujore në përgjithësi, tashmë për shkak të saj ka humbur çdo shkëlqim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





