SOFJE – SETIMES, 16 shkurt 2013– Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Nikolaj Mladenov pritet të informojë homologët e tij të BE-së në Bruksel të hënën (18 shkurt) mbi përfundimet e hetimit në sulmin terrorist në Burgas verën e kaluar.

Këtë javë ministria e brendshme bullgare dorëzoi të dhënat tek Europoli duke përfshirë emrat e dy keqbërësve të dyshuar.

“Qëllimi është të merret sa më shumë informacion të jetë e mundur në vizitat e tyre të mëparshme në Evropë”, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Cvetan Cvetanov, pas bisedimeve me shefin e Europolit Rob Veinrajt.

Duke njoftuar disa nga rezultatet e më shumë se gjashtë muajve hetim në sulmin e 18 korrikut që vrau pesë turistë izraelitë dhe shoferin e tyre bullgar të autobusit, Cvetanovi tha se kishte fakte që tregonin “për financimin dhe përfshirjen” në incident të grupit militant libanez Hezbollah.

Mlladenov i tha radios private me qendër në Sofje “Darik Radio” në një intervistë të shtunën se BE-ja do të ndërmerrte me siguri disa hapa të përbashkët ndaj veprimtarive të Hezbollahut, pas paraqitjes zyrtare të rezultateve të hetimit.

(th.m., Agjencia e lajmeve “Dyrrah”)