Qeveria bullgare do t’i kërkojë Parlamentit të miratojë vendosjen e deri në tetë avionëve amerikanë të furnizimit me karburant në Bazën Ajrore Bezmer, pas një kërkese nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Kryeministri Rumen Radev, gjatë hapjes së konferencës vjetore të ambasadorëve bullgarë në Sofje, bëri të ditur se Ambasada e SHBA-së paraqiti më 17 qershor një notë diplomatike, duke kërkuar vendosjen e avionëve në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Mbrojtjes të vitit 2006 mes dy vendeve.
Sipas Radevit, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë propozimin për t’ia përcjellë Asamblesë Kombëtare për autorizim, pasi legjislacioni bullgar kërkon miratimin e Parlamentit për vendosjen e forcave ose aseteve ushtarake të huaja në territorin e vendit.
“Edhe pse kërkesa është urgjente, nuk kemi marrë ende një vendim, pasi sipas ligjit bullgar një autorizim i tillë duhet të miratohet nga Parlamenti”, deklaroi kryeministri.
Radev kritikoi gjithashtu qeverinë e mëparshme për mënyrën se si trajtoi një rast të ngjashëm në fillim të këtij viti, kur avionë amerikanë të furnizimit me karburant u vendosën në Aeroportin e Sofjes.





