TIRANE, 30 prill 2013 – Xhelozia për pak sa nuk i ka marrë jetën një gruaje në Tiranë, ku ish bashkëshorti e ka kafshuar në mënyrë çnjerëzore në buzë, qafë dhe vesh, vetëm për të mos krijuar një raport tjetër. Ky akt i rrallë, i paperceptueshëm për këdo ka ndodhur në mes të muajit Prill, në zonën pranë Varrezave të Sharrës në Tiranë.
Agresori është 52 vjeçari me iniciale N.V., i cili ka kafshuar për arsye xhelozie gruan me iniciale S.E. 52 vjeçari ka vepruar me vetëdije të plotë, ndërsa ka dëmtuar fytyrën e ish bashkëshortes me pretendimin që ajo të mos kishte mundësi të lidhej me një mashkull tjetër.
Fatmirësisht, burri në fjalë nuk i ka shpëtuar uniformave blu, pasi është arrestuar para pak ditësh nga Policia e Tiranës. Ndërkaq, ish bashkëshortja ndodhet e shtruar në spital, për të marrë mjekimin e nevojshëm dhe se policia e ka marrë në mbrojtje pas një urdhër-mbrojtjeje.





