Itali, 16 qershor 2014 – Është ndaluar nga karabinierët 31 vjeçari italian, Carlo Lissi, burri i 38 vjeçares Cristina Omes, e cila së bashku me dy fëmijët e saj 5 vjeç dhe 20 muajsh u gjet e therur me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Sipas mediave italiane, ka qenë vetë bashkëshorti i gruas që ka lajmëruar policinë për masakrën. Sipas tij, ai i kishte gjetur të therur bashkëshorten dhe 2 fëmijët rreth orës 02.00 të mëngjesit, kur ishte kthyer në shtëpi, pasi kishte parë me shokët ndeshjen e futbollit Angli – Itali.
Por, pasi është marrë në pyetje sërish nga hetuesit gjatë mbrëmjes së të dielës, duket se burri ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe është shoqëruar menjëherë në paraburgim.
Që në momentet e para të hetimit, policia dyshoi se bëhej fjalë për një vrasje “familjare”, sepse nuk kishte gjurmë të grabitësve apo personave të tjerë që mund të kishin kryer masakrën në familjen Lissi.
Ende nuk dihen motivet që e shtunë 31 vjeçarin, t’i merrte jetën gruas dhe fëmijëve të tij të mitur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






