Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka çelur fushatën elektorale në Durrës në një aktivitet me të rinjtë, të mbajtur në shëtitoren “Taulantia” pranë bregut të detit.

Me radhë, të rinjtë e kësaj partie në fjalimet e mbajtura kanë ngritur problemet më shqetëuese sipas kësaj force politike, siç janë braktisja e Shqipërisë nga të rinjtë, mungesa e punësimit të tyre, problemet ekonomike që shqetësojnë familjet me ndihmë ekonomike etj. 

Mesila Doda, sekretare e përgjithshme e PDIU-së, deputete e Kuvendit Popullor, deklaroi se ndër pikat kryesore të fushatës elektorale të PDIU-së për të rinjtë është arsimi i tyre.

“Shkollat janë bërë kakofoni, të rinjtë e arsimuar janë të papunë, ne do të mbështesim familjet me shumë fëmijë, që fëmija i tretë dhe i katërt të kenë mbështetje nga shteti”, tha Doda.

Krenar Lasku, kreu i PDIU-së në Durrës, në fjalën e mbajtur deklaroi se në objekt të fushatës së PDIU-së do të jetë zgjidhja e çështjes çame, por dhe problemet që shqetësojnë qytetarët durrsakë.

Aktiviteti vijoi me pyetje-përgjigje nga pjesëmarrësit të cilët ngritën një sërë shqetësimesh kryesisht me karakter ekonomiko- social, dhe të mungesës së vendeve të punës.

K.H.