Ish-kampioni i Botës me Italinë në 2006, Fabio Cannavaro, mbajti një leksion të hapur në “Shtëpinë e Futbollit” në FSHF, për trajnerët e rinj, të cilët po ndjekin kursin UEFA PRO.

Ish-fitues i Topit të Artë, ndau me kursantët eksperiencën e tij si lojtar dhe më pas si trajner.

Interesante ishte së në sallë ishin disa ish-lojtar të Teutës, që kishin luajtur kundër tij në Kupën UEFA, kur ai ishte pjesë e Parmës në vitin 1995.

Pas leksionit, Cannavaro, u pyet nga gazetarët, për ndeshjen Itali-Shqipëri, e cila do të jetë e para për të dyja kombëtaret në Europianin 2024.

“Mendoj se gjithmonë ndeshja e parë e Botërorit apo Europianit është ajo më e komplikuara. Sepse vjen nga një periudhë pune dhe skuadrat nuk janë siç kanë qënë. Sigurisht të luajmë kundër Shqipërisë nuk është e lehtë, sepse keni një skuadër të fortë, të re, me një trajner të përgatitur dhe patjetër që për Italinë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ndeshjet duhet të fitohen. Por, në të njëjtën kohë duhet ta demostrosh në fushë. Italia ka një trajner të ri, janë lojtarë me eksperienca të ndryshme. Spaleti po ashtu është një trajner që ka shumë eksperiencë edhe në futbollin ndërkombëtar. Në Itali themi, nëse humbet një, atëhere shikojmë përpara”.

Pavarësisht emrit të madh që ka Italia, Canavaro, insiston se të kaltrit duhet ta vlerësojnë maskiamalisht kombëtaren e Silvinjos.

“Nuk është se në fushë luan historia, por luajnë futbollistët që janë shumë të përgatitur. Nuk ka asnjë skuadër në botë që nuk është e përgatitur dhe kështu pse ta nënvlerësojmë Shqipërinë”.

Cannavaro dha edhe një mesazh për kursantët e UEFA PRO.

“Trajnerët e rinj duhet të studiojnë sa më shumë sepse futbolli është në evoluim të përditshëm dhe nëse nuk studiojnë mbeten pas dhe është një mëkat”.