Juventus doli e turpëruar nga ndeshja e fundit në Ligën e Kampionëve teksa u mposht nga Chelsea në Londër më rezultatin e thellë 4-0. Bardhezinjtë, humbën në këtë formë vendin e parë në grup, ndërsa tashmë pritet të kenë një short më të vështirë për fazën me eliminim direkt. Ndërkohë, ajo disfatë e rëndë nuk ka kaluar pa u komentuar edhe nga Antonio Cassano. Ish-futbollisti ka theksuar se Juventus bëri një gabim të madh që e riktheu Massimiliano Allegrin dhe se atë në këtë situatë mund ta ndihmojnë vetëm shenjtorët apo një psikiatër.

“Ajo që më shqetëson më shumë pas asaj humbje janë deklaratat. Mund të tallesh me ata që nuk kanë luajtur ndonjëherë futboll, por tifozët i kanë sytë në vend dhe pastaj jemi edhe ne. Allegri tha se bënë një pjesë të parë të mirë, por nëse ndeshja nuk mbaroi 9-0 duhet të jetë falenderues sepse nuk dolën asnjëherë në sulm. Chelsea e shkërmoqi Juventusin me ritëm dhe ide. Allegri nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë, duhet të ndryshojë diçka ose do të bëhet më keq. Luan me 4-4-2 duke vendosur katër mesfushorë në fushë, janë dy ndeshje rresht me këtë formacion.

Është një çmenduri, nuk mund të luajnë dy mesfushorë qendre në krahë. Ai fiton 10, 20, 30 milionë në vit, por dikush duhet ta ndihmojë: Shenjtorët, psikologët apo një psikiatër, ose dikush që t’i ofrojë një gotë verë. Ai është i zoti në menaxhimin e kampionëve, por për të ndërtuar një lojë, të rikthenin Allegrin ishte gabimi më i madh i Juventusit. Nuk është se ai nuk do ta bëjë këtë, thjesht nuk di”, u shpreh Cassano.