Në një ceremoni të organizuar në Bari të Italisë me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka nënvizuar rëndësinë historike dhe kombëtare të patriotit dhe intelektualit të shquar.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali e cilësoi Luigj Gurakuqin një nga figurat më të spikatura të historisë shqiptare, që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e shtetit shqiptar.
Ajo e cilësoi atë si patriot, dijetar, shkrimtar dhe politikan të shquar, i cili mbylli jetën e tij në një qytet që e donte, po aq sa Shkodrën.
“Luigj Gurakuqi e mbylli rrugëtimin e tij tokësor në këtë qytet që e ka dashur po aq sa donte Shkodrën, qytetin e tij të lindjes. Ky ishte fati i Luigj Gurakuqit, patriotit, dijetarit, enciklopedistit, shkrimtarit, politikanit, diplomatit, ekonomistit, shtetarit, parlamentarit dhe oratorit, i cili, prej një shekulli, nga ajo pllakë e thjeshtë, por simbol i fuqishëm, në Corso Vittorio Emmanuele, kundron vendin dhe njerëzit e qytetit ku gjeti strehë, por edhe ku dha frymën e fundit”, theksoi ajo.
Spiropali u shpreh se Gurakuqi ishte një nga autorët e Deklaratës së Pavarësisë dhe një ndër etërit themelues të shtetit shqiptar.
Ajo e përmendi gjithashtu angazhimin e tij në Kongresin e Manastirit, ku pati një rol të rëndësishëm në njësimin e alfabetit shqip.
“Luigj Gurakuqi ishte një demokrat autentik dhe besonte se Shqipëria mund të qeverisej në mënyrë demokratike e liberale, por, për fat të keq, Shqipëria nuk kishte arritur në këtë fazë pjekurie shtetërore e demokratike… Oratoria dhe aktiviteti parlamentar i Luigj Gurakuqit janë një referencë e çmuar për ne, parlamentarët shqiptarë. Një demokrat me ide të qarta mbi kohezionin fetar dhe social të Shqipërisë, duke kërkuar dhe argumentuar teorikisht ndarjen e besimeve fetare nga shteti dhe harmoninë mes besimeve e komuniteteve fetare, sipas parimit të artikuluar nga vetë ai: “Feja e lirë në shtet të lirë””, tha ajo më tej.