Autoritetet vendore në Durrës përkujtuan sot 87-vjetorin e rezistencës ndaj pushtimit italian, më datë 7 prill 1939.

Në monumentin simbol të kësaj dite, që ngrihet pranë Kullës Veneciane, autoritetet vendore kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule për të nderuar kujtimin e Mujo Ulqinakut dhe patriotëve të tjerë durrsakë, që atë ditë të premte dhanë jetën në luftë me pushtuesit italianë që zbarkuan nga deti.   

Ndryshe nga çdo herë tjetër mungoi fjala e rastit nga ana e autoriteteve, gjë që nuk u prit aspak mirë nga kreu i Organizatës së Veteranëve, Pasardhësve të LANÇ-it për Durrësin, Hamdi Domi.

“Pas gjithë këtyre viteve, kurrë të mos lejojmë të zbehet kjo datë e shënuar e historisë së popullit shqiptar. Përkundrazi të ketë më shumë pjesëmarrje, të ketë më shumë rini, që të kuptojnë dhe ata se çfarë ishte Lufta NacionalÇlirimtare, ç’heroizëm bënë këta kundër pushtimit fashist. Mendoj që bashkia duhet ta organizojë më mirë, sot nuk kishte përshëndetje nga askërkush. U vendosën vetëm kurora. Për mendimin tim kjo është një mangësi”,- tha Domi.

Kur kanë kaluar gati 82 vite nga përfundimi i Luftës AntiFashiste NacionalÇlirimtare vëmendja ndaj monumenteve që përkujtojnë dëshmorët, që dhanë jetën për atdhe lë shumë për të dëshiruar.

Gjendja në të cilën ndodhet Muzeu i Dëshmorëve në Durrës flet vetë dhe nuk ka nevojë për koment.

Për kreun e organizatës së Veteranëve, bashkia duhet të ndërhyjë, sepse edhe këto muze mund të kthehen në objekte të vizitueshme nga turistët e huaj, sepse janë dëshmi e trashëgimisë sonë.

“Edhe gjendjen e Muzeut e kemi ngritur me forcë pranë bashkisë, pranë organeve kompetente, që të marrin masa që ai muze të shkëlqejë. Aq më tepër në kuadrin e turizmit, që tashmë në Shqipëri dihet që ka marrë përmasa të gjera dhe këto institucione të Luftës NacionalÇlirimtare siç është Muzeu, kryeqendra e institucionit të kësaj lufte të popullit shqiptar, duhet të jetë në dinjitetin e duhur. Ai ka probleme, shpresojmë që bashkia të vërë dorë”,- tha Domi.

Më 7 prill të vitit 1939, Durrësi ishte qyteti i parë që u pushtua nga trupat italiane, të cilat më pas avancuan në të gjithë vendin tonë.

Pushtimi italian konsiderohet një nga aktet e para agresive të fashizmit në Evropë.

M.B.