Me rastin e Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit dhe Sportit organizoi një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave, ku u nderuan disa prej mësuesve që kanë dhënë kontribut në arsim.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe mësues nga e gjithë Shqipëria.
Ceremonia u hap me interpretimin emocionues të Himnit të Mësuesit nga Kori i Liceut Artistik.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vlerësoi kontributin e mësuesve si themelor për shoqërinë, duke theksuar se puna e tyre nuk është vetëm një detyrë, por një mision që lë gjurmë të përjetshme në jetën e çdo fëmije.
“Në sytë e nxënësve, ju jeni modeli për t’u ndjekur. Në mendjen e tyre, jeni një udhërrëfyes për një të ardhme që ende nuk e njohin. Ndërsa në zemrat e tyre, këtë e dimë të gjithë, zini një vend që pastaj nuk zëvendësohet për gjithë jetën,” u shpreh Ministrja.
Duke sjellë në vëmendje sfidat me të cilat është përballur sistemi arsimor vitet e fundit, Manastirliu vlerësoi përpjekjet e jashtëzakonshme të mësuesve për të mos ndalur punën as në periudha të vështira, si tërmeti apo pandemia, ndërsa theksoi reformat dhe investimet që kanë forcuar infrastrukturën arsimore në vend.
“Në këto katër vite kemi rindërtuar më shumë se 180 shkolla dhe kemi investuar në 450 institucione arsimore, duke i pajisur me biblioteka, palestra, terrene sportive dhe laboratorë të shkencave”, tha Manastirliu.
Ministrja u ndal edhe te rëndësia e zhvillimeve teknologjike në arsim, duke përmendur investimet në 340 laboratorë inteligjentë dhe trajnimet për më shumë se 16 mijë mësues, të cilët po përfitojnë aftësi të reja në metodat moderne të mësimdhënies dhe përdorimin e platformave interaktive për shkencat.
“Jeni ju, të dashur mësues, që i jepni vlerë çdo investimi përmes përkushtimit dhe kurajës për të përqafuar të renë. Sado shkolla të reja të ndërtojmë, sado teknologji të avancuar të sjellim, në fund të ditës, asgjë nuk do të kishte vlerë pa kontributin tuaj të jashtëzakonshëm”, theksoi Manastirliu.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja siguroi se mbështetja për mësuesit do të vijojë të jetë një prioritet kryesor për qeverinë, duke theksuar rëndësinë e investimit tek arsimi, si çelësi për një të ardhme më të mirë për vendin.
“Historia nuk ka njohur asnjë komb të fortë pa investuar tek dija, tek arsimi, tek mësuesit e vet. Ju ndërtoni të ardhmen dhe meritoni më të mirën”, tha Manastirliu.
Momenti kulmor i ceremonisë ishte vlerësimi i 7 mësuesve të dalluar në fusha të ndryshme.
“Mësues Mjeshtër në Shkencë” u vlerësua Luljeta Gjergo, mësuese e fizikës në gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë, vlerësimi si “Mësues Promotor i Talenteve” iu dha Rudina Pengilit, mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Gjergj Katrioti Skënderbeu”, Krujë, “Mësues Novator” iu dha Eliberta Ziut mësuese e fizikës dhe TIK-ut në shkollën 9-vjeçare “Xhemal Cekini”, Berat, “Mësues Mjeshtër në Gjuhë Shqipe”, Klodiana Pezës, mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Dhaskal Todri”, Elbasan, “Mësues i Arsimit Special” u vlerësua Lulinda Diva, mësuese ndihmëse me pedagogji speciale në shkollën 9-vjeçare “Hasan Vogli”, Tiranë, si “Mësues i Orientimit të Karrierës” u vlerësua Ermira Shehu mësuese e gjuhës shqipe në shkollën 9-vjeçare ”Selim Alliu”, Peshkopi dhe “Trajneri më i Mirë” u vlerësua Erdal Borova, mësuese i edukimit fizik në gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë.