Torra Veneciane është trajtuar në mënyrën më vulgare të mundshme, pasi është arreduar si një bar ordiner. Ky është opinioni i drejtorit të institutit të monumenteve të kulturës, Apollon Baçe, lidhur me administrimin që i është bërë këtij monumenti kulture të shekullit të XV-të. Në një kohë kur institucioni i drejtuar nga Baçe po harton një projekt për dhënien me konçension të rreth 30-40 monumenteve të kulturës, kryesisht kala, vetë kreu i këtij instituti pohon se shumë nga subjektet që i kanë pasur me qera këto objekte si Torra Veneciane, Kalaja e Petrelës, Kalaja e Lëkursit etj, kanë kryer punime të paautorizuara duke i dëmtuar këto dëshmi të historisë sonë. Projekti i hartuar nga instituti i monumenteve të kulturës ka ngjallur këto javë në shtyp reagime të shumta, të ndara në dy krahe, pro dhe kundër. Në një kohë kur Baçe mbron tezën se në pamundësi të investimeve shtetërore dhe fondeve të pamjaftueshme për mirëmbajtjen e tyre zgjidhja më e mirë është dhënia e tyre me konçension, shumë studiues, historianë apo arkeologë janë shprehur kundër, pasi i frikësohen faktit se këto objekte do të kenë të njëjtin fat si objektet e deritanishme të dhëna me qera. Në një intervistë për gazetën “Dyrrah” drejtori Baçe shpjegon mënyrën e përzgjedhjes së këtyre objekteve që do të jepen me konçension, projektet përkatëse për to dhe sanksionet që do të kenë subjektet që nuk do të zbatojnë rigorozisht projektin.    

Zoti Baçe mund të na sqaroni më hollësisht projektin që ka të bëjë me dhënien me konçesion të monumenteve të kulturës? Për sa monumente bëhet fjalë?

Mendohet të jepen me konçension rreth 30-40 monumente kulturore. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për t'i dhënë me qera, siç ka ndodhur p.sh. me Torrën Veneziane në Durrës, apo me Kalanë e Petrelës në Tiranë. Po jua shpjegoj me një shembull konkret. Në Lezhë, p.sh. janë karakollet e qytetit, që i përkasin vitit 1905. Ato janë godina një apo dy katëshe. Kemi në projekt të realizojmë rindërtimin e tyre, të kthejmë një pjesë në muze arkeologjik, një pjesë tjetër në muze etnografik. Do të ngrihet gjithashtu një dhomë fjetjeje dhe një bufe e vogël. Me një fjalë, ideja është kjo; duke qenë se nuk arrijmë të sigurojmë nga shteti fondet për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve, pasi asnjë shtet në botë nuk arrin t'i financojë totalisht këto objekte (Italia p.sh. 20% paguan shteti për mirëmbajtjen, pjesa tjetër sigurohet nga donatorët ose investitorët privatë). Sipas idesë sonë për dhënien me konçension të monumenteve, një biznes apo një sipërmarrës vjen shfaq interesim për objektin, e rindërton atë sipas kërkesave dhe projektit tonë dhe më pas objekti në fjalë i jepet me konçension ose me qera për një kohë të caktuar. Në fillim ai do të nxjerrë shumën e shpenzuar për rindërtimin e objektit e pas një periudhe kohe, ky i fundit i kalon në pronësi shtetit. 

Siç keni deklaruar vetë ju, periudha e dhënies me konçension do të variojë nga 20 deri në 90 vjet. Mbi cilat kritere do të vendoset kohëzgjatja e konçensionit?

Për këtë ekzistojnë dy ligje; njëri është për amfiteozën dhe tjetri është për dhënien me qera. Amfiteoza nënkupton rastet kur subjekti e rindërton nga e para monumentin (ex nuova), ndërsa tjetri ka të bëjë me rastet kur subjekti kryen ndërhyrje të pjesshme. Kjo do të varet në bazë të objektit dhe shkallës së ndërhyrjes.

Ju thatë që subjektit që do ta marrë me konçension një monument kulture do t'i duhet të zbatojë projektin e paraqitur nga instituti i monumenteve të kulturës, Jeni i sigurt se do të zbatohet me përpikmëri projekti?

Kjo është një pyetje e drejtë, pasi në vendin tonë jo rrallë herë është bërë devijim projekti. Po të marrim p.sh. Kalanë e Lëkursit në Sarandë që u dha me qera dhe si ide nuk ishte e keqe. Por sot aty duket vetëm restoranti. Projekti që u miratua në atë kohë nga këshilli shkencor i institutit dhe KRRTSH-ja solli betonizimin e plotë të saj dhe mos marrjen parasysh të koefiçentëve që duhen. Objektet, që ne do të japim me konçension, do të kalojnë në këshillin shkencor dhe në KRRTSH. Kur projekti hartohet nga instituti, po ky organizëm do ta ndjekë gjatë të gjithë fazave të tij, kolaudator dhe supervizor do të jetë instituti. Projektet që po zbatohen deri tani në tre pika Ndroq, Lezhë dhe Elbasan kanë për autorë ose bashkëautorë, punonjës të institutit. Pikërisht ata duhet ta ndjekin nga afër gjatë të gjithë proçesit. Nëse ka shkelje të kontratës ose asaj që është përcaktuar që në fillim, atëherë merren masa penalizimi deri në anullimin e dhënies me konçension. Çdo 4-5 ditë, kolaudatori i projektit, do t’i kontrollojë ato dhe do të njoftojë institutin për çdo parregullsi.   

Konkretisht në Durrës, a do të ketë monumente kulture që do të jepen me qera?

Ne kemi përgatitur të gjithë materialin dhe ai do të diskutohet në fillim në një staf të ngushtë në ministri, pastaj do të kalojë për miratim në KRTSH. Si fillim do të bëhet seleksionimi i objekteve. Pas seleksionimit do të dalë lista konkrete. Sipas mendimit tim, objektet e dhëna deri tani me qera nuk i përmbushin kushtet. Meqë ju doni t’i referohemi Durrësit, po ju jap shembullin e Torrës. Arredimi i brendshëm i kësaj kalaje, bërë nga subjekti që e ka marrë me qera është jashtë çdo standarti, prandaj ky subjekt duhet të ndërhyjë. Ose ta kthejë në standartet e kërkuara, ose do t’i hiqet e drejta e përdorimit. Torra Veneciane, që është një nga monumentet më interesante në vend, është trajtuar në mënyrën më vulgare të mundshme, si një bar ordiner. 

Ju përmendët rastin e Torrës, por kujtoj se vite më parë ka pasur një debat të ndezur politik lidhur me lejen që ju dhatë për vendosjen në Rotondën e Durrësit të objekteve metalike për të ngritur një lokal. Si do ta komentonit këtë rast?

Përsa i përket Rotondës, kam qenë unë që e kam aprovuar atë objekt. Zhurma siç e thatë edhe ju u bë nga politika. Unë po i referohem një shembulli tjetër, p.sh. Kalaja e Lëkursit, që është aprovuar në kohën, kur ka qenë PS-ja në pushtet e që për mua është një shkelje totale. Tek Rotonda bëhej fjalë për vendosjen e objekteve të lehta metalike, pavarësisht se z. Bizhga i quajti ato “zgara për të pjekur mish”. Ato do të shërbenin për të zhvilluar ndonjë koncert apo diçka të ngjashme. Ato do të ishin në përshtatje të plotë me objektin dhe fatkeqësisht unë e quaj humbje që nuk u arrit një gjë e tillë, pasi do të kthehej në një pikë kulturore për Durrësin. Por reagimi i politikës ishte tej masës së duhur. Me një fjalë çdo gjë që bëhet nga e majta, të djathtët e quajnë gabim e anasjelltas. Unë mendoj se munomentet nuk i takojnë as të djathtës e as të majtës, por popullit. Nuk ka arsye të politizohen këto problem. Nëse do t’i referohemi projektit për Lezhën. Një vizitor që shkon të shohë kalanë atje, qoftë shqiptar apo i huaj, pas dy orë ecjeje në këmbë ka të drejtë të pijë një kafe a një limonatë. Në Lezhë bëhet një muze arkeologjik, bëhet dhe një muze etnografik dhe më pas ndërtohet një lokal në një sipërfaqe 10x4m, që zë një sipërfaqe e pakonsiderueshme. Këtë nuk kemi pse ta shohim si gabim.

Këto monumente do t’u jepen subjekteve që i kanë me qera apo do të operohet ndryshe?

Të flasim me shembuj konkret, p.sh. Kalaja e Petrelës. Unë do t’i kërkoj subjektit të anullojë arredimin, ta kthejë lokalin në një lokal që të ketë një pamje të mirëfilltë. Nëse nuk do ta bëjë këtë gjë do t’i merret. Po kështu edhe për Torrën e Durrësit. Përsa i përket monumenteve të tjera, konkurimi do të bëhet në bazë të projekteve. Cili paraqet projektin më të mirë përfiton, pasi çdo gjë do të varet nga projekti, afati i zbatimit, kushtet etj.

 

Opinione pro dhe kundër dhënies me konçension të monumenteve të kulturës

Nisma më e fundit e institutit të monumenteve të kulturës, për dhënien me konçension të monumenteve tek subjektet private duket se do ta vazhdojë të ngjallë reagime pro dhe kundër edhe për disa kohë. Për të mësuar sesi e vlerësojnë një inisiativë të tillë, personat që më mirë se kushdo tjetër njohin vlerat e rralla të këtyre monumenteve, që dokumentojnë etapa të ndryshme nëpër të cilat ka ecur historia e Shqipërisë dhe e Durrësit, gazeta “Dyrrah” intervistoi disa nga personalitetet më të spikatura në këtë fushë në qytetin tonë. Midis qëndrimeve pro dhe kundër që shprehën të intervistuarit, në një pikë ata bashkohen të gjithë; rëndësia e një kuadri të plotë ligjor dhe zbatimi i një kontrolli mjaft të rreptë nga ana e shtetit për të mos lejuar tjetërsimin dhe dëmtimin e këtyre objekteve do të ishin kriteret bazë për të vënë në jetë një praktikë të tillë, e cila në të ardhmen mund të lërë vend për abuzime ashtu siç ka treguar mjaft qartë eksperienca e gjatë në dhënien me qera të monumenteve. 

Afrim Hoti: Monumentet të mos lihen djerrë

Ish drejtori i muzeut arkeologjik e njëkohësisht një arkeolog i njohur i qytetit, Afrim Hoti e sheh si një inisiativë pozitive projektin e institutit të monumenteve. Sipas Hotit në vendin tonë numërohen 1700 monumente kulture dhe shteti e ka të pamundur t’i ruajë dhe mirëmbajë të gjitha. “Për këtë arsye,- thotë ai,- më mirë sesa të rrinë djerrë ato duhet të jepen me konçension tek subjektet private, të cilat krahas shfrytëzimit të tyre do të kenë për detyrë edhe t’i mirëmbajnë. Në të njëjtën kohë duhet forcuar kuadri ligjor për të mos lejuar tjetërsimin dhe dëmtimin e tyre”. Ish drejtori i muzeut arkeologjik nënvizon se ideja për t’i vënë këto monumente “nën kujdestari të privatit”, është një praktikë që ndiqet mjaft edhe në vende të tjera, prandaj nuk ka arsye pse të mos zbatohet edhe tek ne. Sipas tij, i vetmi faktor negativ do të jetë dhënia e tyre me konçension pa u miratuar më parë një kuadër i plotë ligjor që të garantojë ruajtjen e këtyre vlerave. Hoti shprehet se vetëm me mbikqyrjen e institutit të monumenteve dhe ndoshta me ngritjen e një drejtorie të veçantë, që do të ketë detyrë specifike mbikqyrjen e rreptë të të gjitha ndërhyrjeve të kryera nga subjekti që e ka marrë me konçension, këto monumente do të nisin të jenë funksionale, për t’u kthyer në pika të rëndësishme të turizmit kulturor në vend. “Edhe një barishte e vogël që del në muret e kalasë, nuk duhet të pastrohet nga privati, por nga specialistët e institutit, të cilët kanë mjetet e duhura për ta hequr atë. Edhe tymi i duhanit mund t’i dëmtojë muret e brendshme të kalave, prandaj pa një dispozitë të qartë ligjore, që do të sanksionojë detyrimet e subjektit që e merr me konçension dhe penalitetet në rast dëmtimi apo tjetërsimi, kjo nismë nuk duhet të vihet në zbatim”,- deklaroi arkeologu Hoti. Sipas tij, përsa kohë monumentet nuk shfrytëzohen, nuk ruhen, lihen djerrë, kthehen në vend grumbullimi mbetjesh urbane etj, ato humbin shumë nga vlerat historike që kanë trashëguar ne shekuj. Për këtë arsye nisma të tilla që synojnë rivitalizimin e tyre meritojnë të mbështeten dhe të vihen në zbatim.  

Ermion Arapi: Kushte të rrepta për dhënien e monumenteve me konçension

Drejtori rajonal i kulturës kombëtare, Ermion Arapi në një prononcim për gazetën “Dyrrah” u shpreh pro nismës së ndërmarrë nga IMK-ja për dhënien e monumenteve me konçension. Sipas Arapit, nëse kjo ndërmarrje do të shoqërohet me kushte, kontrata e dispozita të qarta ligjore kundrejt subjekteve private që do të shfaqin interes për të shfrytëzuar monumente të ndryshme, atëherë, ajo do të jetë e suksesshme. Drejtori Arapi nënvizon nga ana tjetër se subjektet private duhet ta kenë të qartë që në fillim se do të kenë për detyrë jo vetëm shfrytëzimin e monumenteve, por edhe mirëmbajtjen e tyre. Pra një subjekt privat nuk duhet ta shohë objektin në fjalë si një investim fitimprurës për biznesin e tij, por duhet ta shohë në një kuadër më të gjerë, si evidentim i kulturës e historisë shekullore të vendit tonë, si një vlerë që meriton të ruhet e mirëmbahet për t’u trashëguar tek brezat që do të vijnë. Thelbësore sipas Arapit është mos tjetërsimi i monumenteve. “Ato duhet të ruajnë formën dhe sipërfaqen që kanë dhe të kthehen në të vizitueshme për atë që ato përfaqësojnë. Jo të gjitha monumentet mund të kthehen në bare e restorante”,- tha ai. I pyetur mbi deklaratën e drejtorit të IMK-së, A. Baçe, i cili tha se “Torra Veneciane është trajtuar në mënyrën më vulgare të mundshme” Arapi theksoi se monumenti nuk ka ndryshuar destinacionin e tij, është e vizitueshme dhe subjekti që e ka marrë me qera nuk e ka cënuar atë. Ndërsa duke u ndalur tek çështja e arredimit të brendshëm, Arapi u shpreh se gjithkush ka guston e tij e për këtë arsye çdo sipërmarrës mundohet ta përshtatë ambjentin ku ushtron aktivitetin në mënyrën që atij i duhet më e përshtatshme për të thithur sa më shumë klientelë.     

Adrian Anastasi: Ne nuk kemi eksperiencë pozitive në këtë drejtim

Sipas arkeologut të njohur të botës nënujore aplikimi i një nisme të tillë në Shqipëri nuk ka llogjikë, sepse nëse kjo gjë realizohet në vende europiane si Itali, Gjermani, Austri etj, në vendin tonë deri tani, eksperiencat që kemi pasur në këtë drejtim kanë lënë shumë për të dëshiruar. Nëse në vendet e sipërpërmendura i është kushtuar një vëmendje e veçantë ruajtjes, mirëmbajtjes dhe promovimit të këtyre monumenteve, që pasqyrojnë periudha të rëndësishme historike dhe në të njëjtën kohë përbëjnë vlera universale që duhen trashëguar tek brezat e ardhshëm, tek ne është luajtur me to për të kënaqur orekset e njërit apo tjetrit krah të politikës. “Ne nuk kemi asnjë eksperiencë pozitive në këtë fushë, pasi ndërhyrjet që janë realizuar deri tani në ato objekte që janë dhënë me qera kanë qenë të dështuara dhe e kanë degjeneruar edhe më tej situatën”,- tha arkeologu i njohur i botës nënujore. Në të njëjtën kohë, Anastasi thekson se përsa kohë ne nuk kemi eksperiencë pozitive në mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin korrekt nga ana e subjekteve private dhe përsa kohë nuk kemi figura të mirëfillta që t’i restaurojnë këto monumente kulture në bazë të kritereve të UNESCO-s, eksperimentimi i kësaj praktike në terren do t’i degjenerojë edhe më shumë këto objekte historike. Sipas arkeologut të njohur të dy kahet e politikës “e kanë bërë çorap punën” përsa i takon monumenteve kulturore dhe tani përpiqen në një formë ose në një tjetër të ndryshojnë situatën. “Edhe ata që tani thërrasin ose prononcohen kundër kësaj ideje vite më parë kanë vepruar po kështu, pasi rasti i Kalasë së Lëkurësit ose Petrelës janë shembujt më konkret sesi janë tjetërsuar këto monumente me mjaft vlera. Gjithnjë për këtë çështje janë dëgjuar boritë e partive politike, ndërkohë që të parët që duhet të thonë fjalën e tyre janë specialistët e kësaj fushe”,- tha Anastasi. Për të mos lejuar degjenerimin e vlerave të monumenteve të tjera, tjetërsimin dhe abuzimin me to, të cilat arkeologu i njohur druhet se do të kenë të njëjtin fat, ai shprehet kundër një projekti të tillë.     

Fatos Tartari: Dhënia me konçension do t’i dëmtojë monumentet

Arkeologu i njohur shprehet kategorisht kundër idesë për t’i dhënë disa nga monumentet kulturore me konçension tek subjektet private. Duke iu referuar përvojave të kaluara në këtë drejtim ai shprehet se ndërmarrja e një nisme të tillë do t’i katandiste objektet në fjalë në të njëjtin fat që po kanë simotrat e tyre të dhëna gjatë këtyre viteve me qera. “Me këta biznesmenë kriminelë dhe këtë shtet që nuk arrin të mbrojë e kontrollojë as veten e vet e jo më monumentet, dhënia e tyre me konçension do të shënonte fundin e tyre. Ky shtet nuk kontrollon dot asgjë. Edhe sikur të vendosë polici të posaçme për këtë qëllim, sërish monumentet do të tjetërsohen sepse ne nuk kemi traditë dhe eksperiencë në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre”,- tha Tartari. Sipas tij mjafton t’i referohemi asaj çfarë është bërë me kullën D, tek muret antike të qytetit të Durrësit, për të kuptuar gjendjen në të cilën i ka katandisur Instituti i Monumenteve të Kulturës këto monumente historike.