Spanja është një prej kombëtareve favorite për të fituar këtë edicion të Kupës së Botës dhe kjo jo vetëm për kualitetet që ka në skuadër, por edhe sepse ka arritur të rikuperojë një identitet që njihet tashmë.Një kombëtare që kthehet të jetë komode me topin, që argëtohet me pasime dhe që të kujton atë Spanjën që mrekulloi botën dhe preku qiellin e Afrikës së Jugut përpara 16 vitesh. Më supersticiozët tashmë kanë nisur të ëndërrojnë.
Botërori i 2010-s nisi më 11 qershor me ndeshjen hapëse që vuri përballë Meksikën dhe Afrikën e Jugut, vendin organizator. Po kështu edhe ky botëror nis në këtë datë dhe pikërisht me përballjen Meksikë-Afrikë e Jugut por këtë radhë janë meksikanët në rolin e pritësit të eventit. Një koincidencë që sjell me vete edhe ngjashmëri të tjera me verën e 16 viteve më parë. Spanja shkoi në Afrikën e Jugut si ekipi i vendit të dytë në renditjen e FIFA me 1565 pikë, pas Brazilit. 16 vjet më vonë, fotografia është praktikisht e njëjta, la Roja është sërish e dyta, tani me 1876 pikë, vetëm Franca është në krye me 1877 pikë.
Po kështu nuk ka mbetur pa u vënë re as rrugëtimi i skuadrës përpara Botërorit. Kështu, në 2010-n, Spanja shkonte si kampione e Evropës e 2008-s. Në këtë rast La Roja shkon me titullin e Euro 2024.
Edhe shorti i turneut përfshihet në këto koincidenca. Spanja është në grupin H në këtë edicion të Kupës së Botës, ashtu sikurse edhe në 2010.Në 19 korrik në MetLife Stadium të New Jersey do të kurorëzohet skuadra kampione e re e botës. Mbetet për të parë nëse këto koincidenca do të sjellin edhe titullin e dytë të Spanjës apo thjesht do të mbeten të tilla, si një kuriozitet.





