Megjithëse rreth një muaj më parë u përfol se kryeministri Edi Rama do të linte listën e kandidatëve të Vlorës për t’u përfshirë në atë të Durrësit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021, vendimi i sotëm i kreut të PS-së i la pak të çuditur të gjithë.

Rama spostoi Dakon dhe mori vetë përkohësisht drejtimin politik të qarkut të Durrësit. Ish-kryebashkiaku, mik i vjetër i kryeministrit ishte drejtuesi politik i qarkut në zgjedhjet e fundit, madje emri i tij lakohej edhe në përgjimet e dosjes 339. Të ketë ndikuar deklarata e ambasadores amerikane Yuri Kim për përgjedhjen e kujdesshme të kandidatëve për deputetë në këtë vendim të kryeministrit? Përveç dosjes 339, Dako i ka keq punët edhe me Amerikën, që ia ka hequr vizën familjarisht.

Në një shkrim të pak javëve më parë, nënvizoja se Rama mund të vinte në Durrës edhe për të frenuar pakënaqësitë e shumta të socialistëve, si dhe për të neutralizuar disi “luftën” e brendshme të klaneve të PS-së dhe të larguarve të LSI-së për më shumë pushtet dhe favore në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, në Durrës ka një pakënaqësi të shtuar të qytetarëve të mbetur pa shtëpi nga tërmeti, ndërsa procesi i rindërtimit nuk ka nisur ende, ndërsa fati i shumë pallateve është ende i paqartë. Por nga ana tjetër, Rama mund të përdorë si “armë” politike dhënien e granteve të rikonstruksionit të banesave dhe finalizimin e objekteve arsimore, tek shumë prej të cilave ka nisur tashmë puna. Jo më kot kryeministri javën e kaluar u fokusua në shumë postime të tij tek rindërtimi i shkollave të bashkisë Durrës dhe fakti se ato do të jenë me parametra si godinat arsimore evropiane.

Lëvizja e fundit e Ramës mund të shërbejë edhe për të përqendruar vëmendjen mediatike tek komentet për Vangjush Dakon (në shtator nisin edhe emisionet politike të përnatshme), ndërsa çështje të rëndësishme si kufiri detar me Greqinë etj mund të kalojnë në plan të dytë.

Që Rama të heqë dorë nga miku i tij për të cilin deklaroi se edhe po të përfundonte në burg prapë do ta kishte mik duket pak si e vështirë. Në morinë e posteve që kryeministri merr përsipër të mbajë mbi supe (pavarësisht sesa i suksesshëm është për t’i menaxhuar mirë të gjitha), Rama duket se do të provojë edhe atë të drejtuesit politik të Durrësit.

Mbase do të arrijë ta kthejë edhe PS-në e Durrësit në Rilindje, pasi socialistët e vjetër durrsakë nuk kanë pranuar asnjëherë deri më tani të identifikohen si rilindas.

M.B.