Mandati pesëvjeçar i Parlamentit Evropian në largim u shënua nga sfida të shumta, disa prej të cilave vënë në provë unitetin e Bashkimit Evropian.

Ngjarjet më domethënëse që shënuan vitet e mëparshme janë dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (ajo mori pjesë në zgjedhjet e 2019), pandemia COVID-19 dhe agresioni rus kundër Ukrainës.

Çështja që ka shkaktuar më shumë mosmarrëveshje dhe përçarje brenda BE-së, që nga vala e madhe e emigrantëve në vitin 2015, është politika e migracionit dhe azilit. Pikërisht në këtë temë përfituan shumë parti të ekstremit të djathtë, jo vetëm në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, por edhe në nivel kombëtar.

Temat kryesore të diskutuara në këtë fushatë janë siguria e Bashkimit Evropian, situata në Ukrainë, migrimi, Marrëveshja e Gjelbër (plani për një BE neutrale ndaj klimës), standardet e jetesës.

Sondazhet parashikojnë se Partia Popullore Evropiane (EPP) do të fitojë 176 mandate, që është më pak se 182 mandate që fitoi në zgjedhjet e mëparshme. Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) do të ketë 144 mandate në vend të 156 mandateve aktuale.

Pritet që grupi politik Renew Europe të marrë 82, në vend të 108 mandateve aktuale. Rënia më e madhe parashikohet për grupin politik të Gjelbrit/Aleancës së Lirë Evropiane, nga 74 në 41. Edhe e majta ka shënuar rënie nga 41 në 32.

E djathta ekstreme Identiteti dhe Demokracia mund të fitojë 66 mandate, 6 më pak se numri aktual i mandatet.

Numri i konservatorëve dhe reformistëve evropianë pritet të rritet nga 62 në 72. Këtë herë numri i deputetëve që do t’i përkasin klubit të pavarur parlamentar do të rritet ndjeshëm./tel/