Nga Artan Fuga
Në takimin e fundit mes ekzekutivit dhe gazetarëve, sa mësuam nga vetë mediat, u tregua se në çfarë pike të ulët, problematike, cinike, vende-vende shërbyese, janë marrëdhëniet mes gazetarëve dhe ekzekutivit në fuqi në Shqipëri.
Shembull i trishtë për gazetarët e rinj!
Me çfarë etike ekzekutivi i ndan gazetarët në ata që ja vlen t'i ftosh dhe në të tjerë që as ja vlen t'i dëgjosh, jo më t'i ftosh! Ku e gjen këtë kriter seleksionues, ndërkohë që ajo darkë është bërë me lekë buxheti dhe nuk është një darkë miqsh. Putini fton qindra gazetarë dhe ka sens demokracie jo kaq të ngushtë.
Si mundet që nuk u ndjenë të fyer gazetarët kur ekzekutivi u tha se nuk i ndjek, nuk i lexon. Kryetari kinez nuk e lexonte Zheminzhibaon, por atëhere ai kishte të drejtë.
Media është rruga e hapësirës publike ku mund të shprehet qytetari. Përse e mbyll në mënyrë deklarative ekzekutivi këtë pistë komunikimi me qytetarin? Çfarë koncepti për demokracinë realizohet kështu dhe që bën që pastaj qytetari pa komunikim me ekzekutivin të flasë duke djegur qytetin?
Ishte rasti të shkëmbeni mendime në të mirë të Shqipërisë ku ekzekutivi të shpaloste vizionet e tij para mediave dhe të kërkonte bashkëpunimin me to për transparencë publike si edhe nga ana e medias për të shpalosur problematikat që i adresohen ekzekutivit, me fakte, të dhëna, konkretisht, pa ilaritet që është pa vend në mbledhje publike.
Edhe një herë nuk ishte një darkë miqsh gjysmë çakërqejf që i hedhin romuze njeri-tjetrit.
Mbi të gjitha del se paskan qenë edhe fjalime të orientuara, me protokoll, me kënd dhe stil të porositur, fejtone komike, ndërkohë që ekzekutivi u deklaron se nuk i ndjek, nuk i dëgjon si nuk dëgjohen qentë kur karvani ecën përpara.
Edhe ata heshtën për këtë.
Tjetër priste opinioni publik, sinqerisht, çfarë shembulli negativ për gazetarët e rinj.





