Persona të paidentifikuar kanë vjedhur gjatë natës zyrat e prokurorëve në Durrës.
Në mëngjes, pastruesja e institucionit ka vënë re dyert e hapura të prokurorëve dhe ka lajmëruar menjëherë policinë.
Në këto zyra u evidentua mungesa e disa dokumenteve hetimore, ndërsa nuk bëhet me dije se çfarë përmbanin ato konkretisht.
Rojet e Prokurorisë kanë deklaruar se dyert kryesore nuk kanë qenë të dëmtuara. Për këtë arsye, inspektorët e krimeve dyshojnë se hajdutët mund të kenë hipur nga katet më sipër të godinës.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur inspektorët e krimeve, shefi i Komisariatit të Durrësit Saimir Duro, prokurorët, të cilët janë duke kontrolluar nga ana e pasme e prokurorisë, nga ku dyshohet se kanë hyrë dhe hajdutët.
Kjo është hera e dytë që vidhet prokuroria e Durrësit, pas grabitjes së postës sekrete rreth dy javë më parë, më 8 maj. Autorët dhunuan postierin por ende nuk janë identifikuar dhe as nuk u mësua kurrë se çfarë dokumentesh mungonin.
Anita Jella, prokurorja e re e rrethit, tashmë ka dy detyra të rëndësishme: të zbardhë këto dy ngjarjet e fundit me interes të madh publik.