Dëshpërimi i Arsenalit pas humbjes me penallti në finalen e madhe të Champions League ndaj PSG-së ishte i jashtëzakonshëm, por rivalët e tyre të Stamford Bridge u kujdesën që nata të bëhej akoma më e errët për djemtë e Mikel Artetas.Llogaria zyrtare e Chelsea-t në rrjetet sociale ka lëshuar një “breshëri” talljesh në drejtim të Arsenalit, pothuajse në të njëjtin moment kur mbrojtësi Gabriel gaboi penalltinë vendimtare që i dha titullin francezëve. Postimi që “dogji” rrjetin: “Ejani në shtëpinë e trofeve të Londrës”.

Për të treguar se kush sundon në kryeqytetin anglez kur vjen puna te kompeticioni më i rëndësishëm europian, Chelsea publikoi një ftesë për tifozët për të vizituar muzeun e stadiumit “Stamford Bridge”, ku në plan të parë qëndronte pikërisht kupa me veshë të mëdhenj. “Ejani dhe vizitoni shtëpinë e trofeve të Londrës. Rezervoni tani turin tuaj të stadiumit në Stamford Bridge – shkruhej në postimin e “Bluve”. Përdorimi i dy yjeve në postim ishte një kunj e hapur dhe e drejtpërdrejtë, duke u kujtuar të gjithëve se Chelsea mbetet skuadra e vetme e Londrës që ka fituar dy herë Champions League (në vitet 2012 dhe 2021), ndërsa muzeu i Arsenalit në këtë kompeticion mbetet ende bosh.

Ky ngacmim i Chelsea-t vjen në një moment kur “Blutë” sapo kanë mbyllur një sezon mjaft zhgënjyes në vendin e 10-të në Premier League, larg zonës europiane. Megjithatë, për adminët e klubit dhe tifozët, historia nuk fshihet: pavarësisht se Arsenali shpërtheu këtë vit duke fituar titullin kampion në Angli pas 22 vitesh, mallkimi i tyre në Europë vazhdon të mbetet aktiv. Postimi u bë menjëherë viral në mbarë botën, duke marrë miliona klikime dhe duke u kthyer në kryethemën e memeve të futbollit në rrjet.