DURRES – Dogana e Durrësit kap dhe sekuestron 950 koli cigare kontrabandë, 6 muaj pasi kontenieri me mallin pa pullë fiskale qëndronte në terminalin e konteinerëve.

Nëndrejtori i përgjithshëm i doganave, Qazim Mërlika, bëri të ditur pasditen e sotme se në një konteiner që qëndronte prej mëse 6 muajsh në ambientet e terminalit të konteinerëve janë gjetur nga punonjësit e doganës 950 koli me cigare pa pullë fiskale, me vlerë 500 mijë euro.

Nëndrejtori Mërlika nuk pranoi të japë as emrin e subjektit importues dhe as të dhëna të tjera lidhur me këtë çështje, pasi deklaroi se gjithçka ishte nën hetim e sipër. Mërlika pranoi se subjekti importues ishte nga Pogradeci, por nënvizoi se ende nuk është ndaluar asnjë person për kontrabandën e cigareve. Ndërkohë mësohet se sasia e cigareve pa pullë fiskale ka mbërritur në portin e Durrësit nga Singapori dhe sipas autoriteteve subjekti importues, pas mbërritjes së mallit nuk është interesuar për tërheqjen e tij.  

“Prokuroria, dogana, policia dhe efektivët e krimit ekonomik janë duke hetuar mbi këtë çështje, por për arsye hetimore nuk mund të jap të dhëna të mëtejshme. Dua të theksoj se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e vendosur për të vazhduar luftën e saj me tolerancë zero kundër fenomenit të kontrabandës”,- tha Merlika.

Pas një qëndrimi prej mëse 6 muajsh në portin e Durrësit, të një konteineri të mbërritur nga Singapori, autoritetet doganore kanë vendosur të ndërhyjnë. Pas hapjes së konteinerit është zbuluar sasia e cigareve kontrabandë dhe është bërë sekuestrimi i mallit, i cili do të dërgohet për në Rezervën e Shtetit.