DURRES– Qendra për Çështje të Informimit Publik prezantoi sot përfundimet e raportit monitorues për Këshillin Bashkiak Durrës.
Sipas raportit të ÇIP, rezulton se gjatë periudhës së monitorimit (9 Gusht 2011 – Korrik 2012) në Këshillin Bashkiak të Durrësit është anashkaluar procedura për votimin e fshehtë të vendimeve me karakter individual dhe sipas raportit kjo ka ndodhur si pasojë e mosnjohjes së ligjit nga vetë këshilltarët.
Në të njëjtën kohë një vërejtje tjetër e raportit ishte fakti se aktet e miratuara nga Këshilli Bashkiak duhet të afishohen në vende publike të caktuara nga ky organ. Në raport theksohej se në Durrës nuk janë konstatuar afishime në vende publike, madje të tilla vende nuk ekzistojnë fare në qytet.
Raporti i CIF rekomandon që identifikimi dhe implementimi i sistemeve të reja për njoftimin e akteve të Këshillit tek sa më shumë qytetarë është një domosdoshmëri ligjore dhe praktike.
Nga ana e tij kryetari i Këshillit Bashkiak Durrës, Indrit Hamiti, pasi falenderoi Qendrën ÇIP për përzgjedhjen e këtij organi si objekt monitorimi tha se uronte që në të ardhmen të shtohej gama e ekspertizës në këtë drejtim.
“Gjatë vitit 2013 objektivi ynë është të restaurojmë rolin auditues të Këshillit Bashkiak duke i orientuar energjitë në dy drejtime, së pari në përpilimin e një kalendari pune të sekretariatit dhe komisioneve të këshillit në këtë fushë dhe së dyti në stabilizimin e indikatorëve për sektorë të caktuar në mënyrë që konkluzionet e auditimit të jenë sa më të matshme”,- tha Hamiti.
Në të njëjtën kohë Hamiti nënvizoi se “do të mundohemi që në bashkëpunim me aktorë të shoqërisë civile të vjelim ekspertizën e nevojshme për përpilimin e strategjisë së luftës kundër korrupsionit në administratë”.
Raporti i CIP mat dhe vlerëson dy detyrime të rëndësishme ligjore të Këshillit Bashkiak Durrës si:
1. garantimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarje dhe
2. realizimin e proceseve vendimarrëse që bazohen në kërkesat e ligjit përsa i takon diskutimit paraprak, votimit & shpalljes së vendimeve.
ÇIP ka përllogaritur për herë të parë nivelin e zbatueshmërisë së neneve 33, 34 dhe 35 të ligjit organik 8652 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, i ndryshuar. Zbatimi i dispozitave të këtyre neneve është një kusht juridik dhe faktik për të garantuar vendimmarrje transparente, pjesëmarrje të publikut në vendimmarrje dhe akses efektiv në legjislacionin vendor.