Brad Smith, një pacient me ALS në Arizona, është personi i tretë në botë të cilit i vendoset në tru çipi Neuralink i kompanisë së Elon Musk.
Njëkohësisht, babai i tre fëmijëve është pacienti i parë me ALS dhe që nuk flet i cili kryen procedurën, raporton Fox. Smith e ka deklaruar këtë përmes një postimi në rrjetin X.
“Po e shkruaj këtë me trurin tim. Është komunikimi im parësor”. Më pas ai falënderon Musk, i cili e ka ripostuar.

Smith u dignostikua në vitin 2020. Ai është tërësisht i paralizuar dhe merr frymë përmes një pajisjeje. Përmes lidhjes tru-kompjuter ai krijoi një video për të kontrolluar mausin në MacBook Pro.
“Kjo është videoja e parë e edituar me Neuralink dhe ndoshta e para përmes lidhjes tru-kompjuter”. Në video dëgjohet zëri i tij i dikurshëm, i klonuar përmes Inteligjencës Artificiale nga regjistrimet që kishte bërë përpara se mos të fliste dot më.
“Dua të shpjegoj sesi Neuralink ka ndikuar në jetën time dhe t’ju paraqes një panoramë sesi funksionon”, thotë ai.
ALS (skleroza laterale amiotrofike) është sëmundje degjenerative që prek qelizat nervore në tru dhe shtyllën kurrizore. Me kalimin e kohës, sëmundja çaktivizon mukujt derisa pacienti paralizohet.
Nuk ka shërim për këtë sëmundje dhe mesatarja e jetëgjatësisë është 3 vjet, edhe pse 10% e pacientëve mund të jetojnë 10 vjet dhe 5% rreth 20 ose më shumë.