Partia Demokratike i kërkon qeverisë të ndërhyjë urgjentisht për të ulur barrën fiskale mbi karburantet, pasi çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në nivele rekord.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Eno Bozdo tha se nafta po tregtohet rreth 229 lekë për litër, ose rreth 2.5 euro, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në Evropë dhe mbi mesataren e rajonit.

Sipas tij, çmimi i lartë po rëndon jo vetëm ekonomitë familjare, por edhe bizneset dhe sektorët prodhues e të shërbimeve.

“Arsyeja kryesore sot e çmimeve kaq të larta të dieselit në Shqipëri është ngarkesa shumë e lartë fiskale”, deklaroi Bozdo, duke pretenduar se barra fiskale përbën rreth 53% të çmimit final të naftës.

Ai theksoi se në çmimin e karburantit përfshihen akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja 20%, duke argumentuar se shqiptarët paguajnë një barrë fiskale më të lartë se qytetarët e vendeve të rajonit.