Shijaku ishte ndër qytetet e fundit në rang vendi që regjistroi rastet e para me koronavirus. Aktualisht janë anëtarët e tre familjeve që janë karantinuar për shkak se kanë dalë pozitivë me Covid-19.
Ndërkohë, mes bluzave të bardha të Qendrës Shëndetësore Shijak nuk ka asnjë person të dyshuar se mund të jetë prekur nga koronavirusi.
Lajmi konfirmohet nga drejtoresha e kësaj qendre, Jonida Çeliku, përmes një postimi në rrjete sociale.
Ndërsa rekomandon qytetarët që të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, Çeliku thekson se “aktualisht, askush nga stafi mjekësor i Shijakut nuk rezulton të jetë i suspektuar për Covid-19, e aq më pak i konfirmuar. Ju lutem pa panik dhe gënjeshtra, jeni më të mirë pa këto!”
Që nga konfirmimi i rasteve të para të prekura në Shijak nga koronavirusi, nisi të qarkullonte lajmi se dhe anëtarë të stafit mjekësor ishin të prekur, pasi kishin qenë në kontakt me disa prej personave, që pasi iu bë tamponi rezultuan të infektuar. Por drejtoresha Çeliku i hedh poshtë këto zëra, ndërsa poston edhe foto nga dezinfektimi i ambienteve të qendrës shëndetësore.