Igli Tare nuk do të kalojë periudhën e ndeshjeve të kombëtareve duke monitoruar nga afër lojtarët e ndryshëm që piketon për të ardhmen e Lacios, por duke ndjekur sfidat nga TV, i izoluar nga të tjerët. Kjo, për faktin se ai është i infektuar me koronavirus. Klubi i Lacios ka vendosur që të mos bëjë asnjë konfirmim zyrtar emrash të personave të infektuar në klub, por ka qenë vetë presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, ai i cili në një intervistë për mediat italiane ka konfirmuar se drejtori sportiv është i infektuar.

“Edhe Tare është pozitiv. Por në ditët e sotme askush nuk të thotë nëse mund të infektosh të tjerët apo jo”, tha ai, duke mos bërë të qartë nëse drejtuesi shqiptar kishte simptoma apo ishte asimptomatik. Sipas mediave italiane, edhe Thomas Strakosha është pozitiv ndaj COVID-19, por me ngarkesa minimale virale, aq sa disa tamponë e kanë nxjerrë negativ portierin shqiptar.