Projekti për transformimin e Portit të Durrësit, i konsideruar si një nga investimet më të mëdha në vend, përshkruhet nga deputeti demokrat Igli Cara si një skemë korruptive dhe abuzive që dëmton rëndë interesat ekonomike dhe strategjike të Shqipërisë.

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, Cara theksoi se projekti i dhënë kompanisë së Emirateve Arabe, përfaqësuar nga Mohamed Alabbar, jo vetëm që nuk ka ecur përpara siç ishte premtuar, por po shërben si një justifikim për tjetërsimin e tokës për ndërtime, duke bllokuar funksionet jetike të portit.

Ky projekt ka ngjashmëri të frikshme me një nismë të ngjashme dhe të dështuar në Beograd, në lumin Sava. Edhe atje u fol për një investim rreth 3 miliardë eurosh, por sot, vite më vonë, asgjë nuk është realizuar.

Në Durrës, situata paraqitet e ngjashme: porti i ri nuk është ndërtuar, por parcelat e tokës po jepen për ndërtime private.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e përfaqësuesve të qeverisë që e miratuan këtë marrëveshje, tani janë ose në burg, ose janë larguar nga vendi.

Igli Cara deklaroi se Shqipëria po humbet avantazhin e saj më të madh strategjik në rajon.

Porti i Durrësit, tha ai, ka shërbyer historikisht si pika kryesore hyrëse jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, me 90% të fluksit tregtar që kalonte përmes tij.

Duke e zhdukur portin aktual dhe duke e zëvendësuar me një projekt të ri që do të financohet sërish nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, vendit po i hiqet aseti kryesor ekonomik. Kjo bie ndesh me premtimet fillestare për investime të huaja, kredi dhe partneritete publiko-privat, të cilat nuk u materializuan kurrë.

Ekspertët argumentojnë se funksioni primar i një porti nuk është të gjenerojë fitim direkt, por të lehtësojë transportin dhe tregtinë, duke lidhur transportin detar me atë rrugor.

Kostot dhe tarifat duhet të mbulojnë shpenzimet operacionale, jo të pasurojnë subjekte private.

 Projekti aktual, përveç se nuk po ndërton portin e ri, po bllokon pjesët më të rëndësishme të infrastrukturës ekzistuese, duke përfshirë portin dhe rrugët lidhëse. Kjo ngre pyetjen thelbësore: kujt i shërben në të vërtetë ky bllokim?

Cara ndër të tjera lë të hapur dyshimin se një aset kombëtar me vlerë të jashtëzakonshme po sakrifikohet për përfitimet afatshkurtra të disa individëve përmes ndërtimeve, duke anashkaluar plotësisht interesin publik dhe rolin strategjik të Shqipërisë në Ballkan.