Durrësi, qyteti plot diell fare pranë kryeqytetit, ku natyra dhe historia kanë bërë marrëveshje të heshtur e cila ka kapërcyer kufijtë në kohë dhe në hapësirë. Përpos gjithë këtij potenciali që mbart qyteti bregdetar plot jetë, ajo çka është më e rëndësishme se djemtë e tij janë ata që ia shtojnë më shumë vlerat qytetit të tyre të lindjes nëpërmjet kontributit të tyre për të. I tillë është Vangjush Dako, ai që prej kohësh udhëheq në rrugën drejt të ardhmes qytetin magjepsës, pa ja humbur vlerat e së shkuarës së lavdishme. Ta drejtosh qytetin tënd, më parë duhet ta duash atë dhe të pasionohesh prej vlerave dhe aseteve të çmuara që ai mbart. Kështu Z. Dako është pikërisht personi që para se të vinte në krye të Durrësit, ka ditur të pasionohet prej qytetit të tij dhe ta dashurojë atë duke u bërë pjesë e nismave private dhe duke themeluar  e zhvilluar veprimtarinë e sipërmarrjes së lire. Me ndjeshmërinë për qytetin në të cilin mbizotëron e bukura dhe ideja e relaksit, ai nuk ka reshtur për asnjë moment së angazhuari në nisma private dhe publike, e rrjedhimisht kjo e ka bërë të jetë gjithmonë pranë qytetit dhe bashkëqytetarëve të tij. Në këtë vazhdë, nën ndjeshmërinë dhe përkushtimin për ta rivitalizuar Durrësin, në vitin 2007 u bë pjesë e garës për bashkinë e Durrësit dhe arriti ta fitojë atë. Djali durrsak tani është ai që po udhëheq qytetin drejt një të ardhmeje plot shpresë, për t’i dhënë qytetit shkëlqimin e merituar. Por si është një ditë e zakonshme e kryetarit të bashkisë së Durrësit? E në këtë rast përgjigjen do ta mësojmë hap pas hapi nga vete ai, i cili me përkushtim, thjeshtësi dhe dashamirësi e tij nuk kursehet për asnjë çast që të na tregojë deri në detajet më të imta, rreth punës së tij interesante, ambientit ku punon dhe projekteve të shumta që do ta shndërrojnë Durrësin në një pikë kyçe për të gjithë rajonin.

Rrëfimin e  tij për emisionin “Jo Vetëm Modë” ai e nis pikërisht nga zyra e tij, ku nuk nguron të na tregojë më shumë për projektet që gjenden në tavolinën e tij të punës apo qoftë edhe për objektet kuptimplotë që arredojnë zyrën e tij elegante, përfshirë këtu edhe një pikturë të Aleksandër Moisiut.  Jo vetëm një zyrtar, por dhe një njeri që ia ka ënda të tregojë me shumë dashuri secilin prej ambienteve të rëndësishme në bashkinë e qytetit të Durrësit, Z. Dako na tregon më shumë rreth sallës së mbledhjeve të këshillit bashkiak, aty ku marrin jetë vendime të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e qytetit. Ndërkohë që çdo durrsak apo çdo vizitor që vjen në qytetin sharmant bregdetar, nuk mund të mos impresionohet me sheshin Iliria në qendër të qytetit, atë që sot ngrihet si një vepër avantgard që mishëron vizionin e së ardhmes. Një shesh që tashmë është kthyer në një lloj monumenti historik me ndryshimet e tij, nuk kishte se si të mos merrte vëmendjen e duhur për tu përshkruar nga vetë kryebashkiaku Dako. Përpos faktit që Durrësin e ka përkëdhelur natyra si një qytet bregdetar dhe i lakmuar nga çdo turist që e viziton, ato që e bëjnë më atraktiv dhe më interesant qytetin e lashtë, janë pikërisht disa referenca me vlera historike që mbart ky qytet. E në këtë rast Z. Dako nuk nguron për asnjë çast, përkundrazi me një natyrë tepër sportive, na shoqëron në secilën prej këtyre atraksioneve duke na rrëfyer më shumë rreth vlerës dhe historisë së tyre.

Muzeu

Muzeu arkeologjik I Durrësit është një aset mjaft i rëndësishëm i cili pas 5 vitesh ndërprerjeje, i rindërtuar tërësisht mbi bazën e një projekti të ri, hapi dyert për publikun më 21 mars 2015. Ne muze spikat pavioni i prehistorisë dhe i antikitetit, ai postbizantin, ku janë ekspozuar rreth 2000 objekte arkeologjike të dala nga nëntoka muze e qytetit. Ekspozita e muzeut është e organizuar në pesë ndarje kronologjike, që zënë fill nga periudha me e hershme prehistorike, periudha arkaike. Kjo  periudhe lidhet me kohen e themelimit te ngulimit te pare grek ne bregdetin e Adriatikut, Epidamnit. Vijon më tej periudha klasike, objektet përfaqësuese te kesaj periudhe, kryesisht element të arkitekturës funerare dhe enëve me figura të zeza, reflektojnë ndikimin atikas si qendër e artit klasik botëror. Ndërkohë që periudha helenistike është ajo e cila korrespondon me procesin e ilirizimit dhe përfshirjen e Durrësit nën influencën e shtetit ilir të Glaukias, Monunit dhe Mytilit. Krahas tipareve specifike vendase reflektohen sidomos ndikime të artit helenik të Italisë së Jugut. Për të ardhur në fund tek periudha romake e cila përkon me ndërtimin e rrugës shumë të njohur antike Egnatia do ta poziciononte Durrësin në qendër të shkëmbimeve të rëndësishme kulturore midis dy qytetërimeve të lindjes dhe perëndimit.

Një ditë me kreun e bashkisë së Durrësit nuk mundet kurrësesi të kalonte pa u takuar me “detin” atë që i jep hijeshinë dhe veçantinë të gjithë qytetit. Krenar dhe me një ndjeshmëri të të pakufishme për Durrësin, Z. Dako na tregon më shumë rreth eksperiencës së tij në drejtimin qytetit bregdetar, na tregon më shumë rreth sfidave dhe sukseseve që ai ka kaluar gjatë jetës së tij, këtu si kryetar, por jo vetëm. Dhe këtë zgjedh ta bëjë pikërisht buzë detit, tek një vepër e re arkitekturore që parë nga lart tregon një mbishkrim shume domethënës , Sfinksi. Ndërkohë që Z. Dako na tregon më shumë rreth jetës së tij private, familjes dhe pasioneve të tij më të mëdha. Pak diskret, por konciz në përgjigjet e tij për jetën private, ai na zbulon se ardhja në krye të bashkisë së Durrësit nuk ka qenë aspirata e tij e hershme e viteve të rinisë së tij. Rivitalizimi I Durrësit dhe rikthimi I shkëlqimit të hershëm historik si një kryeqendër jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin është një nga synimet kryesore të kryebashkiakut Dako dhe ai nuk e sheh këtë synim si distant në kohë për tu realizuar.

Ja pra si është të kalosh kohë me kryetarin Vangjush Dako, të njohësh shijet dhe vizionin e tij duke vizituar bashkinë e Durrësit dhe duke bërë një tur në disa prej objekteve më të veçanta që mbart ky qytet. Ja si është të drejtosh Durrësin! T’ia njohësh dhe promovosh vlerat e çmuara që ky qytet ka trashëguar përgjatë historisë dhe ta çosh atë drejt së ardhmes duke e rivitalizuar dhe duke ia shtuar akoma më shumë shkëlqimin që në fakt nuk i ka munguar kurrë…

Emisioni “Jo vetëm modë” nga Floriana Garo