DURRES– Në kuadër të muajit dhjetor, i njohur ndryshe edhe si muaji i pyllëzimit, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka marrë pjesë në mbjelljen e qindra pemëve në rrugën “Aleksandër.Goga”.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se gjelbërimi është një prioritet i Bashkisë së Durrësit.

“Një nga prioritetet e Bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët. Edhe ky vit do të vazhdojë të jetë vit i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve të Durrësit. Në këto 5 vjet me nismën tonë “Një jetë një pemë” kemi mbjellur rreth 5 mijë pemë, ndërkohë që edhe pse në situatë të vështirë financiare ne do të vazhdojmë çdo vit me mbjelljen e pemëve dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbëra sepse ky është një investim i rëndësishëm për qytetarët e Durrësit.”,- tha Dako

Kryebashkiaku nënvizoi gjithashtu se “përgjatë gjithë mandatit tim do të vazhdojë pareshtur mbjellja e sa më shumë pemëve, pasi mjedisi është një nga prioritetet tona kryesore që i shërben vizionit të një qyteti turistik europian”.

Bashkia e Durrësit, me fondet e saj ,ka planifikuar të mbjellë përgjatë këtij muaji rreth 860 pemë të llojeve palmë, gështenjë e egër etj. Vlera e këtij investimi është 38 769 696 lekë.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se nisma e Bashkisë për të gjelbëruar sa më shumë Durrësin është e hapur për bashkëpunimin e të gjithëve, sepse qyteti është i të gjithëve dhe të gjithë duan një qytet sa më europian.

Në jo pak raste, gjatë këtyre viteve si kryetar bashkie, kryebashkiaku Dako është akuzuar se e ka betonizuar qytetin e Durrësit duke pakësuar në mënyrë të konsiderueshme sipërfaqet e gjelbërta.