30 prill 2015 – “Ne po lobojmë për të hapur një qendër terapie për fëmijët autikë të Durrësit dhe ne si Bashki do të vëmë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në një aktivitet të zhvilluar në Bashkinë e Durrësit  me temë “Së bashku, të bëjmë më shumë për fëmijët me Autizëm” organizuar nga Bashkia Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës, në kuadër të muajit të sensibilizimit mbi Autizmin.

Organizimi i takimit i cili u bë nën kujdesin e kryebashkiakut Dako, drejtorit të DRSH-së Kristo Huta dhe deputetes së Kuvendit të Shqipërisë Klodiana Spahiu, morë pjesë gjithashtu edhe përfaqësues  nga institucionet e Prefekturës e Qarkut si dhe nga Drejtoria Arsimore Rajonale, nëna të fëmijëve me Autizëm, Qendra Rezidenciale e Zhvillimit, Drejtoria Rajonale e Sherbimit Social, OJF lokale etj.

Qëllimi i takimit ishte të sensibilizonte të gjithë aktorët lokalë që bëjnë politika lokale, ofrojnë shërbime për fëmijët  dhe monitorojnë zbatimin e të drejtave të fëmijëve, të japin kontributin e tyre jo vetëm në ndërgjegjësimin e të gjitha niveleve të shoqërisë në lidhje me Autizmin, por edhe të bëjnë politika lokale të sukseshme, të ofrojnë shërbime të reja të cilat përmirësojnë në mënyrë të dukshme jetën e fëmijëve me Autizëm.

Në fjalën e tij Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit dhe të gjitha institucionet që merren me problemin e fëmijëve autikë janë të angazhuar që kujdesi shëndetësor e social i këtyre fëmijëve  të ofrohet në standarte sa më të mira dhe në këtë kuadër do të hapet edhe një qendër terapie për këta fëmijë:

“Bashkia e Durrësit por edhe ne të gjithë jemi të angazhuar që kujdesi shëndetësor e social i këtyre fëmijëve të ofrohet në standarte sa më të mira. Aktualisht jemi në kushtet që në rrethin e Durrësit mungojnë qendra publike të trajtimit multidisilinar të fëmijëve me Autizëm që e vështirësojnë  marrjen e një shërbimi sa më bashkëkohor, e në keto kushte ne po lobojmë për hapjen e një Qendre Terapie për fëmijët me Autizëm në qytetin e Durrësit si një mundësi ku të sigurohet socializimi i femijeve autikë. Kjo qendër do të jetë në lagjen 17 dhe ne si Bashki jemi maksimalisht të angazhuar dhe të gatshëm të ofrojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për këtë qendër dhe ne kemi besim se kjo qendër do të hapet së shpejti.”

Në Durrës janë  83  fëmijë  me probleme të Autizmit. Kjo shifër eshte më e lartë po të marrim në konsideratë që ka fëmijë autikë që marrin shërbime private duke anashkaluar shërbimin publik shëndetësor dhe social. Fëmijët autikë në Durrrës marrin shërbim shëndetësor në të dy nivelet e shërbimit në Qendrat Shëndetësore dhe në shërbimin spitalor. Gjithashtu në kopshte dhe shkolla, nëpërmjet psikologëve dhe mësueseve, ata integrohen në sistemin arsimor nëpërmjet programit PEI. Në  Bashkinë  Durrës fëmijët autikë marrin ndihmë ekonomike dhe prindërit kujdestari(në bazë të shkallës së sëmundjes).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/