Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka deklaruar se këtë vit bashkia nuk ka mundësi për të përballuar përmbytje të mundshme, pasi të ardhurat e bashkisë kanë qenë 30 për qind më të ulëta. Pohimet e tij vijnë në një kohë kur kemi hyrë në sezonin e reshjeve të mëdha të shirave si dhe të rrezikut të mundshëm nga erozionet në pjesët kodrinorë të qytetit, kryesisht në Kallam, Kodër Vilë e Spitallë. Shkak për këtë deklarim, sipas kryetarit Dako, kanë qenë lejet e ndërtimit, të cilat u bllokuan për një kohë të gjatë nga mosfunksionimi i KRRT-së. “Konfliktet politike kanë zvarritur mbledhjen e KRRT-së e cila disa herë ka dështuar në takimet e saj për arsye të motivuara politikisht”,-tha Dako. Ai është treguar shumë skeptik në mundësinë e kapërcimit të situatës në të cilët gjendet. Kreu i bashkisë ka deklaruar se bashkia dha 100 milion lekë për të parandaluar përmbytjet, duke ndërhyrë me investime në disa zona të qytetit. Fondi është bërë i mundur të marrë miratimin e këshillit pas këmbënguljes së grupit të këshilltarëve të PD në bashkinë e Durrësit. Ata madje kaluan deri në qortime të hapura në adresë të kryetarit të bashkisë i cili e shfrytëzoi për qëllime fushate këtë situatë të krijuar. Fondi në hsumën e deklaruar më sipër është bërë i mundur të marrë miatim disa ditë pasi zona të tëra në qytetin e Durrësit ishin zhytur në ujë nga reshjet e nëntorit e të dhjetorit. Këshilltarët janë vënë para ankesave të pambarim të qytetarëve një pjesë e të cilëve kanë braktisur edhe shtëpitë për t’i shëptuar rrezikut nga përmbytja. Situata në fjalë ka qenë deri dramatike në disa zona në Plazh, Shkozet e Spitallë, ku edhe është këmbëngulur për ndërhyrje emergjente nga pushteti vendor. “Investimet e kryera në lagjen 13 dhe 14, e kanë shmangur rrezikun e përmbytjeve të tjera”,- shprehet Dako, i cili ka përmendur investimin tek zona pas Holliday në Plazh, pastrimin e kanaleve të hapura në Plazh, Shkozet dhe Spitallë, hapjen e  kanalit pas plastikës në Shkozet etj. Bashkia e Durrësit ka disa projekte për të rehabilituar pikat e nxehta, ndërkohë që kryetari Dako ka thënë se asnjëri nga projektet nuk do të mund të zbatohet. Dako ka thënë se për këtë vit nuk do të ketë fonde për parandalimin e përmbytjeve, pasi buxheti i miratuar së fundmi nuk kishte mundësi për këtë gjë. Deklarimet e tij pritet të pasojnë me reagime të forta nga këshilltarët, prefektura, qarku dhe qeveria. Sipas disa pohimeve të bëra mësohet se shumë këshilltarë do të reagojnë sapo Dako të bëjë publike pohimet e mësipërme. Bashkia e Durësit këtë vit pritet të mos afrojë asnjë reagim me fonde për kodrën e Vilës apo faqen e kodrës në anë të detit, zonë që ka dy vite që përballet me rrëshqitjet masive të dhërave. Kodra në pjesën jugore ka rrëshqitur dukshëm. Disa lokale në buzë të Currilave dy vite më parë u fondosën sa hap e mbyllë sytë por pa ndonjë pasojë në njerëz e personel shërbimi. Med të tillë fenomen janë ndeshur edhe shumë banesa e familje të ndërtuara në faqe të kodrës pranë ish kirurgjisë së vjetër. Dherat, balta dhe masdive dheu janë ngjeshur në muret mbrojtës apo në rrugicat e pallateve në këtë lagje. Kodra e Durrësit është tashmë një nga vatrat më problematike e cila nga dita në ditë mund të afrojë të papritura. Për kodrën e Vilës nuk ka asnjë projekt ehabilitimi dhe bashkia e justifikon këtë pohim me mungesën e fondeve. “Ditë më të këqija parashikohet të vijnë për financat e bashkisë dhe kjo do të shihet në projektbuxhetin e vitit 2012”,-ka thënë kryetari i bashkisë së Durrësit. Dako  ka deklaruar se “ka shumë mundësi që për katër vitet e ardhshme të mos kryhet asnjë ndërtim, pasi aktualisht KRRT nuk funksionin dhe ligji i ri e pengon një gjë të tillë”.