Të mbledhura në një studio televizive shumë vite pasi kanë vendosur t’i përkushtohen profesionit të tyre, disa nga ish-moderatoret dhe gazetaret e njohura të ekranit nuk e kanë fshehur kënaqësinë e këtij rikthimi dhe as mallin për ekranin. Jona Kuke, Erjona Shehu, Jeta Toҫilla, Fatjona Hysi, Estela Ujka, Esmeralda Mulaj ishin të ftuarat e “Pasdite në Top Channel” për të ndarë me publikun dy periudhat e tyre të jetës, para dhe pas televizionit.

Duke sjellë kujtimet e shumë viteve në televizion, secila prej tyre mban mend momente të bukura dhe një periudhë të rinisë së hershme, e cila nuk mund të përsëritet. Edhe pse, askush nuk është penduar për zgjedhjen e bërë. Secila ka zgjedhur rrugën e duhur…

Në Top Channel, atë e thërrisnin doktoresha, ndërsa në QSUT, “spikerja e lajmeve”… derisa një ditë Erjona Shehu vendosi të mos i mbante të dy emrat.

Rreth 5 vjet më parë, spikerja e njohur Erjona Shehu mori vendimin për t’u shkëputur nga televizioni dhe për t’iu përkushtuar me kohë të plotë profesionit të saj. Studimet për vite të tëra në mjekësi dhe në fund të tyre diploma, ishin një finale, pas së cilës Erjona nuk kishte më asnjë dyshim që do t’i përkushtohej asaj për të cilën kishte investuar…. “Ishte një vendim që erdhi natyrshëm. Nuk e di cili ka qenë momenti që vendosa, por besoj diplomimi ka qenë shumë i rëndësishëm. Në atë moment ka qenë finalja absolute….” – kujton Erjona për kohën kur vendosi të ishte dermatologe para se të ishte spikere në televizion. Por nuk e mohon se rastet kur ka qenë vënë në pikëpyetje mjekësinë e për të vendosur përfundimisht televizionin nuk kanë qenë të pakta: “Televizioni është i lodhshëm, sepse shumë mendojnë që është punë luksi, por jo, nuk është i lehtë… Kur vendosa, ndoshta kisha parasysh edhe investimin për vite të tëra në mjekësi.”

Estela Ujka është një prej ish-moderatoreve që e ka nisur herët drejtimin e spektakleve në Tv Klan. Ishte vetëm 19 vjeҫ kur filloi drejtimin e programeve rinore. “Netë vere” ishte spektakli veror në të cilin ajo spikati si një vajzë me talent që premtonte. Por sapo të diplomohej për financë, në vitin 2004, vendosi të largohej edhe nga ekrani (edhe pse jo plotësisht me dëshirën e saj).

Sot, pas shumë viteve jashtë ekranit, Estela thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur. Aktualisht ajo punon në një bankë të sektorit të dytë në Tiranë, por njëkohësisht ka edhe një blog me emrin e së bijës, përmes të cilit u jep frymëzim të gjitha nënave të kujdesen për veten, pavarësisht ngarkesave apo problemeve të ditës.

Të njëjtin mesazh dhanë në studio edhe ish-moderatoret e tjera, që kanë qenë pjesë e ekraneve të ndryshme shqiptare. Investimi dhe dashuria për profesionin e tyre i ka larguar nga ekrani për të bërë më të mirën në zgjedhjen e tyre të parë, për veten dhe për familjen. /Class/