TIRANE – Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, italiani Gianni De Biasi, ka pranuar se ka nisur të krijojë një Shqipëri të re dhe këtë e ka bërë duke mos u bazuar shumë në futbollistët nga Kosova. Ai në mediat shqiptare ka deklaruar se tashmë numri i kosovarëve në kombëtaren e tij është shumë më i vogël.Kjo ide e tij ka ardhur për faktin se Kosova është afër pranimit në arenën ndërkombëtare, dhe mund të ndodhë që kosovarët të largohen nga Shqipëria për t’iu bashkuar Kosovës, edhe pse deri tani asnjë lojtar kosovarë nuk ka deklaruar se do ta ndërrojë Shqipërinë për Kosovën.

“Në ndeshjen e fundit miqësore me Kamerunin ne kemi pasur vetëm tre lojtar nga Kosova në kombëtare, ndërsa tetë të tjerë kanë qenë të Shqipërisë. Kjo tregon se tashmë kemi shumë më shumë lojtarë të Shqipërisë në kombëtare. Unë shpresoj të mos ndodh largimi i kosovarëve, por ne kemi menduar edhe për zëvendësimin e tyre”, tha De Biasi.

Se vërtet ky mision i italianit tashmë ka nisur, e dëshmojnë edhe deklarata e fundit të mbrojtësit Armend Dallku, i cili ka thënë se është duke e menduar largimin nga Kombëtarja, dhe këtë për arsyen se trajneri ka nisur të humbë besimin në të.