Lista e Kombëtares Shqiptare për dy ndeshjet ndaj Italisë dhe Bosnje Hercegovinës tashmë është zyrtare dhe risia më e madhe është grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Kukësit, Albi Alla. Nga ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri Gianni De Biasi publikoi listën me 23 emrat që ka thirrur për sfidën eliminatore të 24 marsit në Palermo dhe atë të 4 ditëve më pas kundër rivalëve ballkanas në miqësoren e Shkodrës.

Një tjetër lojtar i Kategorisë Superiore që rikthehet në Kombëtare është edhe mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi, ndërsa bie në sy mungesa e Shkëlzen Gashit që vazhdon të mos jetë në preferencat e De Biasit. Sokol Cikalleshi rikthehet në Kombëtare, ndërsa emergjenca më e madhe është në fazën mbrojtëse me dy mungesa të rëndësishme si Gjimshiti dhe Mavraj. Një tjetër emër që ngjall interes është edhe mesfushori i kroatëve të NK Lokomotiva, Eros Grezda, i cili po kalon një moment shumë pozitiv. Në këtë repart janë përfshirë gjithashtu edhe emrat e përdorur nga De Biasi gjatë muajve të fundit si Basha, Kukeli, Abrashi, Lila, Memushaj, Xhaka, Hyka dhe Roshi.

Në sulm janë thirrur Balaj, Cikalleshi, Llullaku e Sadiku, ndërsa në mbrojtje bashkë me debutuesin Alla janë të gatshëm edhe Agolli, Ajeti, Aliji, Hysaj e Veseli. Në listën e portierëve, Orges Shehi rikthehet pasi Etrit Berisha është i pezulluar, ndërsa bashkë me gardianin e Skënderbeut është edhe ai i Partizanit, Alban Hoxha dhe ai i Lazios, Tomas Strakosha.