Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka vlerësuar paraqitjen e treguar një natë më parë nga Italia, paçka se "axurrët" u eliminua nga Gjermania me 11-metërsha.

De Biazi shprehet se Italia krijoi më shumë raste dhe ishte më pranë fitores, ndërsa thumboi edhe lojtarët që humbën penalltitë.

"Italia vuajti pak, përkundrazi nëse e sheh mirë krijoi më shumë raste se sa Gjermania. U mbrojt mirë dhe nuk i la hapësira për t’i sulmuar. Penalltitë? Dreqi e mori, Zaza kishte hyrë enkas për të gjuajtur një penallti… Dhe në fakt…", ka thënë De Biazi për La Gazzetta dello Sport.

"Megjithatë është një humbje më dinjitet, më vjen keq sigurisht, sepse patëm edhe avantazhin e një penalltie, por e shpërdoruam me Pelenë. Të përqeshësh Nojerin? Nuk e di se çfarë ka menduar, ndoshta ishte i lodhur, tregoi cektësi".