TIRANË-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur me debate mbledhjen për ngritjen e ZAZ-ve në të gjithë vendin. Ky Komision pritet të miratojë sot projektvendimin për ngritjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) për zgjedhjet për Kuvendin e 2013-ës.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, administrata ka propozuar shtimin e Zonave të Administrimit Zgjedhor duke propozuar që të ngrihen 89 ZAZ.
Kryetarja Lefterie Lleshi theksoi se parashikohet ngritja e qendrave për administrim.
“Janë 4 bashki që kanë mbi 80 mijë banorë me të drejtë vote dhe këto 3 bashki do të ndahen në 3 Zona të Administrimit Zonal (ZAZ).
Por, përfaqësuesi ligjor i PS-së Genc Gjoncaj kërkoi shpjegim se cila është arsyeja që KQZ ka marrë në konsiderate të analizoje variantin e PD.
Lleshi theksoi se nuk ka asnjë gjë të keqe që të rritet numri i ZAZ.
Ndërkohë që përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti ka deklaruar se mendon që numri i ZAZ duhet të rritet për të mbërritur tek 100.
Sipas ligjit elektoral afati i fundit për ngritjen e tyre ishte data 6 dhjetor, KQZ-ja u la në dorë dy partive që të gjejnë me konsensus një numër të përbashkët të KZAZ-ve që do të ngrihen.
PD-ja dhe PS-ja nuk ishin dakord me propozimin fillestar të KQZ-së, sipas të cilit, duhet të ngrihen 76 KZAZ në 12 qarqet e vendit, duke u angazhuar se do të negociojnë për të gjetur një variant të përbashkët.
Por, në këto 14 ditë, palët ishin larg qëndrimeve të tyre, çka bëri që ato të mos vinin në KQZ me një draft të përbashkët.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, administrata propozoi variantin me 89 KZAZ.
“Mbështetur në kriteret për ngritjen e ZAZ-ve sipas pikave 2, 3 dhe 4 të nenit 27 të Kodit Zgjedhor dhe në të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për numrin e zgjedhësve, del se nga 66 ZAZ që ishin në zgjedhjet për Kuvend 2009, në Zgjedhjet për Kuvendin të vitin 2013 propozohet të ngrihen 89 ZAZ.
Në krijimin e ZAZ-ve janë pasur parasysh kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor: pandashmëria e territorit të komunës dhe bashkisë; vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike; mundësi të mira komunikimi brenda territorit dhe numër i përafërt zgjedhësish”, thuhet në propozimin e KQZ-së.
Në parim këtë variant nuk e pranon as Partia Demokratike dhe as Partia Socialiste. Burime nga selia blu bënë të ditur për Gazetan Panorama se qëndrimi i tyre është që në të gjithë vendin të ngrihen 100 KZAZ me qëllim që votat në të 12-të qarqet e vendit të numërohen sa më shpejt.