15nëntor 2015 – Një libër që në fakt e ka titullin “Përhapja e së vërtetës rreth Islamit”, i autorit Dr. Zakir Abdul Kerim Naik, është bërë pjesë e debatit në Shqipëri, pasi në një pjesë të tij shkruan se “Ço mysliman duhet të jetë terrorist”. Madje jep edhe arsyet pse duhet të jetë i tillë. Ka qenë shkrimtarja Flutura Açka ajo që e ka postuar në rrjetin social Facebook me shënimin: Libra si ky shiten qetë-qetë në panair, në shqip e pa taksë…

Në faqen 47 të librit shkruhet: “5. Çdo musliman duhet të jetë terrorist. Terrorist është ai person apo individ i cili shkakton tmerr/terror. Në çastin kur hajduti shikon policin, ai do të llahtariset. Për vjedhësin, (hajdutin) polici është terrorist. Ngjashëm me këtë, çdo mus­liman duhet të jetë terrorist kur janë në pyetje faktorët armiqësorë të shoqërisë, f.v.; hajdutët dhe përdhunuesit. Sa herë që muslimani vëren ndonjë veprim të tillë kundërshoqëror, ai duhet tmerruar.

Është e vërtetë se nocioni ‘terrorist’ në përgjithësi përdoret për personin, i cili shkakton terror në mes të njerëzve të rëndomtë. Mirëpo, muslimani i vërtetë duhet të jetë terrorist vetëm me njerëzit negativë, si për shembull; me ata që janë kundër elementeve shoqërore, e assesi karshi njerëzve të pafajshëm e të rëndomtë. Ç’është e vërteta, muslimani duhet të jetë burim i paqes për njerëzit e pafajshëm”. Libri në fjalë është botim i vitit 2010″. Përkthyesi dhe përshtatësi i tij në shqip është Mr. Sci. Feim Dragusha, ndërsa redaktor gjuhësor Ermal Bega.

Gazeta shqiptare që e bëri publik këtë lajm shkruan se pas kontaktit me redaktorin ai pranon se fjala terrorizëm është komplet e palejueshme që një mysliman të quhet terrorist. “Personalisht mendoj se në anglisht direkt, vetë autori do të ketë pasur një ide ose mendim tjetër, jo atë të drejtpërdrejtë, se nuk më duket i pranueshëm në shqip”, u shpreh ai.

/portali DurresLajm/