Legjenda e futbollit gjerman, Miroslav Klose, beson se Kampionati Botëror 2026 do të jetë skena ku rekordi i tij historik si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë kompeticion do të tejkalohet. Ish-sulmuesi i “Pancerave”, i cili numëron 16 gola në fazat finale të Botëroreve, është shprehur i hapur dhe mjaft sportiv sa i përket mundësisë që ky rekord të ndryshojë pronar. Në një prononcim të fundit për mediat, Klose ka vlerësuar ecurinë e yjeve aktualë të futbollit botëror, duke u ndalur veçanërisht te Lionel Messi. Kapiteni argjentinas, i cili udhëhoqi vendin e tij drejt titullit në vitin 2022, aktualisht numëron 13 gola dhe ka nevojë edhe për katër të tjerë për të lënë pas gjermanin.

“Besoj se ky është viti kur rekordi im do të thyhet. Rekordet janë vendosur për t’u thyer dhe unë nuk kam asnjë peng. Përkundrazi, do të isha shumë i lumtur nëse këtë do ta arrinte një lojtar si Lionel Messi. Ai është i mirëpritur ta bëjë këtë,” u shpreh Klose, duke treguar një dozë të lartë vlerësimi për yllin e Inter Miami-t. Miroslav Klose e vendosi rekordin e tij në vitin 2014, pikërisht në gjysmëfinalen historike kundër Brazilit, ku kaloi shifrën e 15 golave të fenomenit Ronaldo. Që prej asaj kohe, askush nuk ka arritur t’i afrohet aq shumë fronit të tij sa Messi dhe Mbappe.

Përveç argjentinasit, një rrezik serioz për rekordin e Klose-s mbetet edhe francezi Kylian Mbappe, i cili në moshën 25-vjeçare ka arritur tashmë kuotën e 12 golave në vetëm dy pjesëmarrje në Kampionate Botërore. Megjithatë, vëmendja e Klose-s mbetet te Messi, duke konsideruar këtë Botëror si mundësinë e fundit të “Pleshtit” për të shkruar sërish emrin në librat e historisë. Botërori 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, pritet të jetë jo vetëm një festë e futbollit, por edhe një betejë statistikash që mund të ndryshojë përgjithmonë hierarkinë e golashënuesve më të mëdhenj të planetit.