Një delegacion gjerman i kryesuar nga Dr. Joachim Stamp, Zv.Kryeministër i Landit Nordrhein-Westfalen dhe Ministër për Fëmijët, Familjen, Refugjatët dhe Integrimin, zhvilloi sot një vizitë në portin e Durrësit. Kjo vizitë e delegacionit nga Düsseldorf-i ishte pjesë e programit që përfaqësuesit e koalicionit qeverisës CDU-FDP të landit kanë zhvilluar në vendin tonë në datat 25-27 shkurt. Së bashku me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, z. Peter Zingraf, delegacioni u prit në ambientet e APD-së nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Pirro Vengu.

Pas fjalëve mirëseardhëse, Z. Vengu i njohu përfaqësuesit gjermanë me punën që po kryhet për mirëqeverisjen dhe konkurrueshmërinë e porteve shqiptare sipas standardeve europiane. Më tej, ai vlerësoi bashkëpunimin e nisur me portin e Hamburgut në Gjermani për krijimin në Durrës të një Qendre Shqiptare të Ekselencës për Menaxhimin Detar, që synon formimin e inxhinierëve dhe specalistëve të transportit detar.

Pasi u njohën me kapacitetet e portit më të madh të vendit tonë, autoritetet gjermane u interesuan për projektet që po zbatohen në hapësirat portuale.  Ata u njohën gjithashtu me masat e shtuara që janë marrë në pikën e kalimit doganor portual për parandalimin e koronavirusit. Në përfundim të vizitës, personalitetet nga Gjermania vizituan gjithashtu Terminalin e Trageteve.