Lotët e Mohamed Salah pas dëmtimit të pësuar në një duel me Sergio Ramos kanë shqetësuar jo vetëm tifozët e Liverpoolit, që panë më pas t’u shuhej ëndrra për  të fituar Championsion, por edhe popullin egjiptian.

Salah në Egjipt është shumë më tepër se një “yll” futbolli, për ta kuptuar këtë mjafton të shohësh se sa vota ka marrë në zgjedhjet presidenciale, pas qenë fare kandidat.

Që në fillim u kuptua se dëmtimi në shpatull nuk ishte i lehtë, madje pas ndeshjes trajneri Jurgen Klopp dha alarmin: "Mund të jetë shumë rëndë, ka një problem serioz në shpatull, Është dëmtim serioz, shumë serioz." 

Egjiptiani u dërgua menjëherë në spital për të bërë radiografinë, që tregoi probleme me ligamentet e shpatullës së majtë. Gjithsesi, për t’u dhënë shpresë tifozëve egjiptianë për praninë e tij në Botëror, mendoi Federata Egjiptiane e Futbollit, nëpërmjet një postimi në “Twitter”.

"Liverpooli na ka njoftuar për gjendjen e Momo, i cili u është nënshtruar rezeve x në shpatull. Ka një përdredhje, por ne jemi optimistë për diagnozën finale dhe për pjesëmarrjen e Salah në në Botëror me Egjiptin."

Fjalë që rritin shpresën e një kombi të tërë. Gjithsesi, duhet theksuar se problem të tilla në shpatull mund të provokojnë mbetjen jashtë skuadrës nga 2 deri 6 javë. Ditët në vazhdim për sulmuesin e Liverpoolit nuk do të jenë aspak të qeta.