Për fat të keq, monumentet në Durrës nuk i shpëtojnë për një kohë të gjatë dëmtimeve.

Fatin e simotrave të saj, të dëmtuara vitet e kaluara, e ka pësuar edhe monumenti “Sono persone/Janë Njerëz”, i vendosur verën e vitit të kaluar në shëtitoren bregdetare, kushtuar 30-vjetorit të eksodit të 25 mijë shqiptarëve me anijen “Vlora”, në gusht 1991.

Shumë nga shkronjat tashmë i janë hequr monumentit, duke e lënë të gjymtuar atë, ndërsa persona të papërgjegjshëm kanë gërvishur sipërfaqet e xhamta, duke lënë pas mbishkrimet e tyre.

Monumenti i realizuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli ka humbur edhe një pjesë të sipërfaqes së xhamtë, e thyer tashmë përtokë. Kjo pjesë e xhamtë kishte dhe mbishkrimin më domethënës të monumentit, ku shkruhej “Bari Durrës deti që bashkon”.

Një pjesë e xhamit të mbetur dergjet përtokë prej ditësh, ndërkohë që nuk dihet nëse ai është shkëputur si pasojë e motit të keq, apo dikush e ka dëmtuar me dashje atë. Deri më tani asnjë masë nuk është marrë për riparimin e tij.

Ky nuk është rasti i parë kur monumentet apo skulpturat e vendosura përgjatë shëtitores “Taulantia” dëmtohen. Fat të ngjashëm kanë pësuar edhe dy gladiatorët e skulptorit Janaq Paço apo peshkatari pranë Sfinksit.

Inaugurimi i monumentit “Sono persone/Janë Njerëz”, u bë më 5 gusht 2021 në Durrës në praninë e përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor dhe qendror në Durrës, por edhe nga bashkia e Barit. Në të njëjtën kohë, simotra e këtij monumenti është vendosur edhe në Lungomaren e Barit, për të mbajtur të gjallë në kujtesën kolektive këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e dy popujve fqinjë, por edhe miq.

M.B.