Inaugurimi i monumentit “Sono persone/Janë Njerëz”, ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli mblodhi pasditen e sotme në shëtitoren “Taulantia” përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe qendror në Durrës, por edhe nga bashkia e Barit. Në kuadër të aktiviteteve me rastin e 30-vjetorit të eksodit të shqiptarëve më 8 gusht 1991 me anijen “Vlora” u përurua sot në qytetin bregdetar simotra e monumentit që do të vendoset edhe në Lungomaren e Barit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, gjatë fjalës së rastit mbajtur në këtë event nënvizoi se 3 dekada më parë personat në bordin e anijes “Vlora” shkruajtën historinë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas Sakos, vendosja e monumentit në shëtitoren “Taulantia” është simbol i dialogut kulturor mes dy fqinjëve që ndër shekuj kanë konsoliduar marrëdhëniet e tyre.

“Vendosja e këtyre skulpturave përballë njëra tjetrës, përkujtojnë jo vetëm atë që ndodhi 30 vjet më parë por janë simbol i vazhdimësise së dialogut kulturor dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy qyteteve dhe shteteve tona që lagen nga i njëjti det, deti Adriatik, deti i cili nuk na ndan por na bashkon gjithnjë e më tepër. Në këtë moment dua të them veçse faleminderit për të gjithë ata italianë, njerëzit e thjeshtë, që hapën dyert e pritën ata të panjohur, duke treguar shpirtin e zemërgjerësisë dhe solidaritetit të popullit italian dhe institucioneve të tyre”,– tha kryebashkiakja e Durrësit.

Ndërsa përfaqësuesja e bashkisë së Barit Ines Pierucci nënvizoi gjatë fjalës së saj se marrëdhëniet mes dy vendeve startojnë shumë më parë sesa 8 gushti i vitit 1991.

“Mirëpritëm ato ditë rreth 20 mijë shqiptarë, të dëshpëruar, që kërkonin ndihmë. Por historia e atyre ditëve është një histori që përsëritet vazhdimisht dhe nuk i përket vetëm Shqipërisë apo Italisë, por të gjithë Evropës”,– tha Pierucci gjatë fjalës së saj, ndërsa nënvizoi edhe kontributin e madh të dhënë në ato ditë të vështira nga kryebashkiaku i Barit, Enrico Dalfino, që hapi portat e qytetit për mijëra shqiptarë që largoheshin nga atdheu i tyre për një jetë më të mirë në perëndim.

Skulptorja Jasmine Pignatelli tha se falenderonte popullin shqiptar që zgjodhi pikërisht vendin e saj për të realizuar ëndrrën e tij të lirisë. Ajo rrëfeu se frymëzimi për këtë vepër i erdhi që në vitin 2018.

Violinisti i njohur, Florian Vlashi, kujtoi ato ditë të vështira për vendin dhe qytetin e Durrësit, dhe nënvizoi se përveç dy monumenteve që po vendosen në Durrës dhe Bari një monument i tretë duhet vendosur në fund të detit, aty ku u “mbytën” me dhjetëra e qindra ëndrra shqiptarësh, që humbën jetën në det.

Fjalën në ceremoni e mori edhe djali i ish-kryebashkiakut të Barit, Enrico Dalfino, Giuseppe, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në realizimin e kësaj vepre.

Monumenti “Sono Persone/Janë Njerëz” është ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli.

Veçantia e këtij monumenti është qasja dy dimensionale e vetë objektit, i cili ka formën e bashit të anijes por njëkohësisht edhe formën e një libri të hapur. Në anët e jashtme të librit ka një tekst dedikues të shkruar në alfabetin “mors’:

“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar.
Nuk mund ti’kthejmë pas,
ne jemi shpresa e tyre e vetme”.
“Sono Persone, persone disperate.
Non possono essere rispedite indietro,
noi siamo la loro unica speranza”.