Ambasadori Luigi Soreca u pyet këtë të hënë nga gazetarët edhe në lidhje me dënimin e Saimir Tahirit.
Ai nuk preferoi të komentonte rastin, po tha se shikohet një pavarësi më e madhe e gjyqësorit dhe ky është një lajm i mirë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.
Megjithatë Soreca tha se presin më shumë nga institucionet që janë përfshirë në sistemin e drejtësisë.
Pyetje: Para pak ditësh gjykata dënoi ish-ministrin e Brendshëm zoti Tahiri, a mendoni se dënimi i një ish-funksionari të lartë në vend është argument për të thënë që Reforma në Drejtësi ka nisur të funksionojë apo është e pamjaftueshme?
Luigi Soreca: Nuk e kam zakon të bëj komente për procedura në vijimësi apo për çështje specifike. Por po të shihen disa nga vendimet e fundit të gjykatave dhe prokurorisë atëherë shihet edhe një pavarësi më e madhe e gjyqësorit. Ky është lajm i mirë për konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë.
Pyetje: A jeni të kënaqur me SPAK-un?
Luigi Soreca: Shikojmë sinjale të mira nga puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. A mjafton kjo? Jo ne presim edhe më shumë nga të gjitha ato institucione që janë të përfshira në sistemin e drejtësisë.