Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) thekson se plehu inorganik Ure, i cili dyshohej se kishte përmbajtje azoti më të ulët se ajo e deklaruar në etiketë, ka rezultuar në përputhje me vlerat e deklaruara në etiketë.
Sipas AKU-së, nga verifikimet të kryera në terren pas denoncimeve rezultoi se produkti Ure që tregtohet në vend është i regjistruar.
Gjatë kontrolleve në subjektet që merren me importin, magazinimin dhe tregtimin e këtij produkti, u morën 15 mostra për analiza laboratorike.
Rezultatet treguan se përqindja e azotit në të gjitha mostrat ishte në përputhje me vlerat e deklaruara në etiketë, ndërsa edhe treguesit fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës rezultuan konform kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të Informimit të Publikut dhe Transparencës, referuar denoncimeve për tregtim të produktit plehërues inorganic Ure, me përqindje të azotit më të ulët se atë të deklaruar në etiketë, përmbajtje dhe ngjyrë në shkelje të ligjit 17/2020 “Për produktet plehërues”, si dhe pretendimeve që nuk janë të regjistruara, ka kryer kontrolle në të gjitha subjektet me aktivitet importin, magazinimin, tregtimin me shumicë/pakicë të këtij produkti.
Nga verifikimet e kryera në terren rezultoi se produkti plehërues inorganic Ure, që tregtohet në vendin tonë është i regjistruar.
Gjatë kryerjes së kontrolleve në këto subjekte janë marrë gjithsej 15 mostra, të cilat janë dërguar për analizim të treguesve cilësorë (konkretisht të përmbajtjes në përqindje të azotit) pranë laboratorit të analizimit të produkteve plehëruese në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Fushë-Krujë.
Bazuar rezultati të analizave të 15 mostrave, përqindja e azotit në këto produkte ka rezultuar konform përqindjes së deklaruar në etiketë, si dhe treguesve fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet në gatishmëri të plotë të kontrolleve në terren për garantimin e sigurisë ushqimore dhe i bën thirrje fermerëve të denoncojnë çdo rast dyshimi për abuzim me imputet bujqësore.





