Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Durrës, Zija Alhysa, ka dalë sërish përpara kamerave, për të denoncuar mungesën e tamponëve.

Teksa ndodhemi në një situatë të vështirë për sa i përket përkeqësimit të shifrave të të infektuarve të rinj në mbarë vendin, Alhysa thotë se mbetet problem numri i ulët i tamponëve që kryhen.

Plani ditor është për 30-40 tamponë në ditë, duke përfshirë ritestimet dhe rastet e reja, por në realitet sipas Alhysës nuk ka. Si pasojë, kërkimi dhe hetimi epidemiologjik nuk mund të kryhet në këto kushte, shpjegon ai.

Në televizion thuhet se bëhen 400-500 tamponë, por unë dje me vështirësi mora 15 tamponë, madje edhe duke bërë sherr. Nuk plotësohet as 40 % e kërkesave”, shprehet kryetari i Sindikatës.

Në ditë deklarohen që bëhen 400 tamponë, por faktikisht në rrethe nuk bëhen as gjysma. Ne nuk kemi t’i marrim tamponët në vend tjetër”, thotë Alhysa.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive, 5 nga të cilët në Durrës. Aktualisht në vend janë 1508 persona aktivë, me shpërndarje kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

S.L.